Derisa dikush tjetër po bënte gati fishekzjarrët për të festuar zgjedhjet, diku tjetër krisi grushti.
Danush Ademi, kryetari i Unionit Republikan të Ashkalinjve të Kosovës, nuk arriti të hedhë votën as për partinë që përfaqësonte dhe as për veten.
Kjo për shkak se, në orën 16:00 të pasdites, pikërisht në ditën e zgjedhjeve, ai u sulmua fizikisht.
Derisa po nisej me veturën e tij për të votuar, pasi doli nga shtabi zgjedhor në Ferizaj, vetura e tij u rrethua nga një grup i madh personash.
Të paktën 20 persona e nxorrën zvarrë nga vetura.
Grushtat nuk dihej nga vinin burra e fëmijë, siç shihet në videon e siguruar nga “Kiks Kosova”, e godasin Danush Ademin me aq fuqi sa kishin.
Në mbrojtje të tij ndërhynë kolegët, por goditjet vetëm sa shtoheshin.
Sipas Ademit, sulmit i priu kundërshtari i tij politik, Qazim Rrahmani, i cili kandidoi për asamblist në Kuvendin Komunal të Ferizajt nga radhët e Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës (PDAK).
Sipas tij, përveç Ademit, asnjë nga përfaqësuesit e partisë nuk arriti të votojë, pasi e gjithë dita iu shkoi në stacionin policor.
Qëllimi, sipas tij, ishte i qartë: pengimi për të votuar.
Kjo situatë, thotë Ademi, ishte e papritur, pasi, sipas tij, kurrë më parë nuk kishin pasur probleme të tilla.
Dy kandidatët Ademi dhe Rrahmani përveç se ishin rivalë politikë, ishin edhe fqinj në fshatin Dubravë të Ferizajt. Marrëdhëniet miqësore, sipas burimeve, ishin prishur para zgjedhjeve.
Thirrjeve të “Kiks Kosova” nuk iu përgjigj Qazim Rrahmani.
Ekipi ynë u sigurua që t’i linte edhe një mesazh.
Të martën, partia e tij PDAK doli me një reagim publik duke mohuar përfshirjen në sulmin e ditës së zgjedhjeve.
“Kryetari Qazim Rrahmani nuk e ka sulmuar apo ofenduar Danush Ademin, por është vetë Ademi ai që ka ofenduar familjen e Rrahmanit, gjë që më pas ka çuar në një kacafytje mes palëve. PDAK dhe kryetari Rrahmani nuk mbajnë përgjegjësi për këtë veprim. Këto do t’i trajtojnë organet e shtetit. Danush Ademi është shpifës dhe humbës në të gjitha zgjedhjet qendrore dhe lokale që nga viti 2019. Ai ende nuk po mund të pajtohet me humbjet dhe po përdor forma të ndryshme shantazhi për të dëmtuar imazhin e kryetarit Rrahmani dhe të PDAK-ut. Ne nuk merremi me shpifje, akuza dhe kulturën e tij. Të gjithë qytetarët ashkalinj e dinë kush është ai. Ne kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët dhe bëjmë thirrje për paqe, jo përçarje. Gjithashtu ftojmë që edhe Danush Ademi dhe familja Rrahmani të ulen dhe të flasin, për t’u pajtuar dhe për të shmangur urrejtjen sepse kjo nuk është pasqyrë e mirë për qytetarët dhe për vetë liderët e komunitetit.”
Ndonëse në video-incizimin e siguruar nga “Kiks Kosova” duken qartë më shumë se dy a tre persona të përfshirë në incident, në stacionin policor u shoqërua vetëm Qazim Rrahmani.
Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt:
“Më datë 12.10.2025, rreth orës 16:30, në fshatin Dubravë, Komuna e Ferizajt, është shoqëruar në stacionin policor një person i dyshuar, mashkull kosovar, pasi dyshohet se, pas një mosmarrëveshjeje verbale, ka sulmuar një person tjetër, ankuesin po ashtu mashkull kosovar. Me urdhër të prokurorit të rastit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Rasti është cilësuar si ‘Sulm’.”