Viti 2025 në Kosovë nisi dhe po mbyllet me zgjedhje, duke krijuar një rreth politik që për shumë qytetarë u përjetua si stagnim. Nga fillimi i vitit, kur vendi hyri në proces zgjedhor mes pritjeve për ndryshim, e deri në fundvit, ku sërish zgjedhjet dominuan diskursin publik, 2025-a u karakterizua nga pasiguri, lodhje qytetare dhe sfida të shumta ekonomike, sociale dhe institucionale.
Zgjedhjet e 9 shkurtit u panë si një mundësi për stabilitet dhe për adresimin e problemeve të grumbulluara. Por, ato nuk sollën stabilitetin e pritur. Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua vetëm më 10 tetor, tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
Procesi u shoqërua me dhjetëra vazhdime të seancave konstituive si pasojë e mos-konsensusit mes partive parlamentare për emrin e propozuar nga partia e parë, LVV, për kryetar të Kuvendit.
Pas shumë përpëlitjeve, kryetari i Kuvendit dhe katër nënkryetarë u zgjodhën më 26 gusht, mirëpo konstituimi mbeti i paplotë pasi tani “sharra hasi në gozhdë” me çështjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.
U deshën sqarime nga Gjykata Kushtetuese që Kuvendi të mblidhej sërish më 10 tetor kur edhe votoi Nenad Rashiqin për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, duke përmbyllur kështu zyrtarisht konstituimin e legjislaturës së re.
Tani radha ishte te krijimi i Qeverisë, e drejtë e cila i takonte partisë së parë të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, LVV-së.
Propozimet nuk kaluan pas disa tentimeve, dhe duke e parë situatën pa zgjidhje, presidentja Vjosa Osmani ftoi partitë politike për konsultë për datën e zgjedhjeve të reja, e cila u caktua për 28 dhjetor.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, u bë e qartë se proceset vendimmarrëse po çalojnë, ndërsa polarizimi politik vazhdoi të mbajë të bllokuara shumë iniciativa të rëndësishme.
Një nga sfidat më të mëdha për qytetarët gjatë vitit 2025 konsiderohet pasiguria rreth furnizimit me energji elektrike, paralajmërimet për reduktime dhe paralajmërimet për rritje të çmimit të rrymës, siç paralajmëroi Avdullah Hoti, ish-kryeministër i vendit.
Çmimet e konsumit në Kosovë shënuan rritje të ndjeshme në nëntor 2025, duke arritur një inflacion vjetor prej 5,3% krahasuar me nëntorin 2024, sipas të dhënave të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK). Ndërkohë inflacioni mujor, krahasuar me tetorin 2025, ishte 0,4%. Kjo bëri që edhe fuqia blerëse e qytetarëve të bie.
Pagat gjatë këtij viti mbetën kryesisht të pandryshuara, ndërsa shpenzimet bazë u rritën.
Nga 1 janari hyn në fuqi ligji i ri për taksën progresive mbi pronën, i cili pritet të rrisë taksat për pronat komerciale për 200-300%. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, paralajmëroi se kjo do ta vështirësojë edhe më shumë mjedisin e të bërit biznes në Kosovë.
“Ndër shumë sfidat që ka kaluar biznesi, sfida tjetër është kjo, ligji i ri i taksës së pronës që rrezikon rritjen e taksave të pronës për bizneset deri në 200-300%”, kishte deklaruar Rafuna.
Sektori publik gjatë vitit që lamë pas, u përball me greva të Trafikut e Urban, protesta të Radio Televizionit të Kosovës, krejt këto për pakënaqësi të punëtorëve për shkak të mospagesave apo vonesave në paga.
Edhe sistemi shëndetësor dhe ai arsimor u kritikuan për mungesë reformash thelbësore. Mungesa e barnave esenciale vazhdoi të mbetet sfidë e theksuar në sistemin e shëndetësisë së Kosovës, derisa Astrit Haxhijaha nga Oda e Farmacistëve të Kosovës, fajin për mungesë të barnave ia hodhi praktikës së gabuar të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë.
Pakënaqësive s’i shpëtoi as fusha e Arsimit, kur vetëm pak ditë pas fillimit të vitit të ri shkollor, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës shprehu shqetësim sa i përket kushteve të punës.
Në planin e sigurisë dhe politikës së jashtme, viti 2025 u shënua nga tensione të vazhdueshme në veri të vendit dhe nga një dialog i brishtë me Serbinë, i cili shpesh prodhoi më shumë paqartësi sesa rezultate konkrete. Këto zhvillime ndikuan drejtpërdrejt në perceptimin ndërkombëtar për Kosovën.
Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, në fund të shtatorit kishte përsëritur qëndrimin e bllokut evropian se normalizimi i raporteve është kusht për Kosovën dhe Serbinë në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Dhe ne po punojmë për këtë, në veçanti edhe me përfaqësuesen tonë të lartë, Kaja Kallas. Ne jemi vazhdimisht të angazhuar me Serbinë për këtë çështje, ndërsa me Kosovën më pak muajt e fundit, sepse jemi ende në pritje të formimit të një qeverie të re. Por, kjo mbetet një nga prioritetet në gjithë procesin e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor”, ishte shprehur Kos në intervistën dhënë në Sarajevë.
Partnerët ndërkombëtarë vazhduan ta shohin vendin si një shtet me potencial, por të ngadalësuar nga krizat e brendshme, mungesa e konsensusit politik dhe vështirësitë në zbatimin e marrëveshjeve.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, tri ditë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit kishte thënë se Kosovës i duhet një qeveri me kompetenca të plota pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Ai kishte shtuar se ndërkombëtarëve iu duhet një partner në Kosovë për të punuar për Planin e Rritjes së BE-së, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për zhvillimin e Kosovës.
Masat dhe kritikat nga Bashkimi Evropian, si dhe skepticizmi rreth progresit në dialog dhe sundimin e ligjit, e vendosën Kosovën në një pozitë të ndjeshme diplomatike. Përkundër përpjekjeve për të ruajtur partneritetet strategjike, viti 2025 nuk solli hapa të mëdhenj drejt integrimit evropian, duke lënë qytetarët me ndjenjën se perspektiva evropiane po shtyhet vazhdimisht.
Se vendi ishte bllokuar në këtë rrugëtim, e kishte thënë edhe vetë presidentja, Vjosa Osmani.
“Nuk ndjejmë se kjo qasje pro-evropiane dhe fakti që jemi 100% tërësisht të harmonizuar dhe politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së është shikuar apo vlerësuar siç duhet. Përkundrazi, duket sikur merret si e mirëqenë”, kishte thënë presidentja në një intervistë me Gordon Repinski të “Politico”-s.
Ndërkohë, rikthimi i zgjedhjeve në fund të vitit e përforcoi idenë se 2025-a ishte më shumë vit i betejave politike sesa i zgjidhjeve. Fushatat e reja u shoqëruan me premtime të njohura, ndërsa qytetarët hynë në këtë proces me më pak entuziazëm dhe më shumë skepticizëm, të lodhur nga një vit i mbushur me kriza dhe paqartësi.
Të paktën kështu ishte shprehur Artan Nimani nga NISMA. Në një intervistë, ai kishte thënë se: “Zgjedhjet e shpeshta gjatë vitit kanë lodhur qytetarët dhe kjo sjell apati, hezitim dhe ulje të motivimit”.
Analisti politik Artan Muhaxhiri, në një intervistë për “Reuters” kishte theksuar se: “Kur një vend hyn në zgjedhje pa mbyllur ciklin e reformave, rrezikon të mbetet në fushatë të përhershme dhe pa vendimmarrje të qëndrueshme”.
Zgjedhjet u mbajtën dhe fitues doli sërish partia e parë e katër palë zgjedhjeve të fundit në vend. Dhe kësaj radhe, për dallim nga zgjedhjet e 9 shkurtit kur doli me 42 për qind, mundësitë i ka reale që ta bëjë qeverinë e vetme.