July 18, 2026
2 mins read

51 raste të armëve pa leje në veri gjatë 2026-ës, ekspertët: Po goditen strukturat ilegale të lidhura me Beogradin

Policia e Kosovës ka regjistruar 51 raste të posedimit të paautorizuar të armëve në katër komunat veriore të vendit gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Në kuadër të hetimeve janë arrestuar 18 persona të dyshuar, ndërsa janë sekuestruar armë automatike, granata dore, eksploziv, uniforma ushtarake dhe pajisje të tjera me karakter ushtarak.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, numri më i madh i rasteve është evidentuar në komunën e Zubin Potokut, ku janë iniciuar rreth 25 raste.

Njohës të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se institucionet e Kosovës kanë shtuar veprimet operative për zbulimin dhe çmontimin e rrjeteve të armëve ilegale, si dhe të strukturave të lidhura me Beogradin zyrtar që kanë vepruar në pjesën veriore të vendit.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, tha se situata duhet parë si në aspektin e sigurisë publike, ashtu edhe të sigurisë kombëtare, duke rikujtuar sulmin terrorist të vitit 2023 në Banjskë. Sipas tij, pas atyre zhvillimeve janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për rritjen e sigurisë së qytetarëve në veri të Kosovës.

Ai theksoi se Serbia, sipas vlerësimit të tij, ka përdorur struktura dhe mekanizma të ndryshëm për të mbështetur grupet e lidhura me Beogradin zyrtar, të cilat kanë shërbyer për shpërndarjen e armatimit dhe mbledhjen e informacioneve. Shala shtoi se institucionet e sigurisë po punojnë në identifikimin dhe neutralizimin e këtyre pikave operative, si dhe në konfiskimin e armëve të shpërndara ndër vite.

Sipas tij, këto veprime po realizohen në bashkëpunim ndërinstitucional mes Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe me mbështetjen e qytetarëve të komunitetit serb në veri.

Ndërkaq, ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, tha se situata e sigurisë në Mitrovicën Veriore mbetet ende e ndjeshme, për shkak të zbulimit të vazhdueshëm të armëve ilegale në objekte të pabanuara.

Ai theksoi se inteligjenca policore po punon për mbledhjen e provave dhe parandalimin e veprave të mundshme kriminale, ndërsa armët e sekuestruara duhet t’i nënshtrohen ekzaminimeve balistike për të verifikuar nëse janë përdorur në vrasje, sulme terroriste apo vepra të tjera penale.

Morina vlerësoi gjithashtu se bashkëpunimi mes qytetarëve serbë dhe Policisë së Kosovës është përmirësuar kohët e fundit, gjë që sipas tij ka ndikuar në rritjen e besimit ndaj institucioneve të sigurisë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në periudhën 1 janar – 30 qershor 2026, në rajonin e Mitrovicës Veriore janë sekuestruar armë automatike AK-47, pushkë M-48, pushkë gjuetie, granata dore të llojeve të ndryshme, municion të kalibrave të ndryshëm, uniforma ushtarake, radiolidhje, dylbi, gazmaska dhe sasi eksplozivi.

Sipas Policisë, në Drejtorinë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri, e cila mbulon komunat Mitrovicë Veri, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, janë iniciuar gjithsej 51 raste për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Gjatë hetimeve janë arrestuar 18 persona të dyshuar, ndërsa disa persona të tjerë janë identifikuar dhe vazhdojnë të jenë në kërkim.

Latest from Blog

Go toTop