Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar 63 mijë e 400 euro të padeklaruara gjatë kontrollit të një autobusi në pikën kufitare në Merdare.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, autobusi ishte duke qarkulluar në relacionin Gjermani–Kosovë, ndërsa paratë ishin fshehur në bagazhin personal të drejtuesit të autobusit.
Burimet kanë bërë të ditur se autobusi i përkiste kompanisë Barileva Turist, e cila operon me linja ndërmjet Kosovës dhe vendeve të Evropës.
Mjetet monetare janë ndaluar nga autoritetet doganore, ndërsa rasti është iniciuar për trajtim të mëtejmë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Dogana e Kosovës rikujton të gjithë udhëtarët se bartja e mjeteve monetare përtej kufirit duhet të deklarohet në përputhje me kërkesat ligjore. Kontrollet e shtuara do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit dhe luftimit të bartjes së paligjshme të parave dhe formave të tjera të kriminalitetit ndërkufitar”, thuhet në njoftimin e Doganës.