Një grua 66-vjeçare është plagosur me armë zjarri të premten në fshatin Greme të Ferizajt.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 17:00 në rrugën “Shabi Hashani”, derisa gruaja ishte duke ecur.
66-vjeçarja ka pësuar lëndime të lehta në këmbë dhe ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin e Ferizajt. Policia është njoftuar për rastin rreth orës 20:50, pas informatës së pranuar nga spitali.
Pas hetimeve fillestare, është identifikuar si i dyshuar A.H., 23 vjeç. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, Policia ka sekuestruar një pushkë gjahu dhe një fishek.
23-vjeçari është shoqëruar në stacionin policor dhe është intervistuar në prani të avokatit, nën dyshimin për veprat penale që lidhen me posedimin e paautorizuar dhe përdorimin e armës.
Pas përfundimit të procedurave policore, ai është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti vazhdon të jetë nën hetim.
/Demantim News/