December 2, 2025
1 min read

Ferizaj: 1 vit burg për babain që nuk pagoi alimentacionin

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.V., duke e dënuar me 1 vit burgim për veprën penale shmangia nga sigurimi i mjeteve për jetesë, sipas nenit 245 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Seanca u kryesua nga gjyqtari Shabi Idrizi, i cili pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave materiale e personale, konstatoi se i pandehuri ishte fajtor për shmangie të vazhdueshme nga detyrimet ligjore ndaj fëmijëve të tij të mitur.

Sipas aktakuzës, F.V. nga 3 tetori 2024 e deri më tani i është shmangur pagesës së mjeteve të jetesës për dy fëmijët e tij, edhe pse ishte i obliguar me aktvendim të Gjykatës Themelore në Ferizaj të datës 22 qershor 2023. Ai ishte i detyruar të paguante 700 euro në muaj në emër të alimentacionit, shumë e cila duhej t’i transferohej ish-bashkëshortes A.G.V., si kujdestare e fëmijëve.

Gjykata konstatoi se i pandehuri nuk ka përmbushur detyrimin ligjor dhe është shmangur me vetëdije nga pagesat e përcaktuara, duke cenuar mirëqenien e fëmijëve të tij.

Dënimi me 1 vit burg do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i aktgjykimit me shkrim. Ankesa duhet të paraqitet në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Gjykata përmes këtij vendimi rikujton se shmangia nga obligimet ndaj fëmijëve konsiderohet shkelje e rëndë dhe sanksionohet sipas ligjit.

Latest from Blog

Presidenti, PDK nuk merr pjesë në seancë

Pas pak pritet që të mbahet seanca për Presidentin. Burime të Klankosova.tv bëjnë të ditur se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën e sontme. Bazuar në këtë
Go toTop