Oda e Avokatëve të Kosovës ka thënë se në hapësirat ku zhvillohen intervistat dhe konsultat konfidenciale ndërmjet avokatëve dhe palëve, janë vërejtur pajisje incizimi që në dukje ngjasojnë me kamera artizanale.
Sipas njoftimit, thuhet se këto pajisje janë vërejtur nga kryetari i Odes së Avokatëve, Besnik Berisha dhe nënkryetari, Naim Rudari, pajisje të cilat thuhet se janë vërejtur edhe në disa objekte të Policisë së Kosovës.
Por, Oda thotë se Policia e Kosovës i ka njoftuar zyrtarisht se pajisjet janë instaluar rreth tre vite më parë si pjesë e një projekti zyrtar për sistemet audio/video në dhomat e intervistimit.
“…Nuk përbëjnë pajisje të fshehta, ilegale apo të menaxhuara nga stafi hetues; Nuk janë funksionalizuar dhe nuk kanë gjeneruar asnjë incizim; dhe, Janë vendosur në kuadër të një projekti të koordinuar me institucionet kompetente”, ka thënë Oda e Avokatëve.
Megjithatë, ky institucion vlerëson se “prania e pajisjeve që në dukje ngjasojnë me kamera artizanale, pa shenja të dukshme identifikuese, pa sinjalizim teknik dhe pa njoftim paraprak, krijon pasiguri të justifikuar dhe bie ndesh me standardet e konfidencialitetit që garantojnë ushtrimin e profesionit të avokatit”.
Për këtë arsye, OAK u ka bërë thirrje të gjithë avokatëve që të jenë maksimalisht vigjilentë dhe të mos zhvillojnë konsultime konfidenciale në hapësira ku ekziston dyshim mbi sigurinë teknike apo privatësinë e bisedës, “pavarësisht përgjigjes së dhënë nga policia”.