Indonezia dhe Australia kanë nënshkruar një marrëveshje sigurie, e cila i angazhon të dyja vendet të konsultohen me njëra-tjetrën në rast se ndonjëra prej tyre përballet me kërcënime, njoftoi presidenti indonezian Prabowo Subianto pas takimit me kryeministrin australian Anthony Albanese. Detajet e plota të traktatit nuk janë bërë ende publike.
Marrëveshja ishte paralajmëruar për herë të parë në nëntor, gjatë vizitës së Prabowos në Australi, dhe përfaqëson një zgjerim të bashkëpunimit ekzistues në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, raporton “Reuters”.
Kryeministri Albanese e cilësoi paktin si dëshmi të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe të nivelit të lartë të besimit reciprok. Ndërsa Prabowo theksoi se marrëveshja pasqyron parimet e fqinjësisë së mirë dhe politikën e jashtme jo të angazhuar të Indonezisë.
Traktati është modeluar sipas një marrëveshjeje sigurie të vitit 1995 mes dy vendeve, e cila u anulua në vitin 1999 pas ndërhyrjes së udhëhequr nga Australia në Timorin Lindor.