February 6, 2026
2 mins read

Tiranë: Përfundojnë hetimet për vdekjen e 3-vjeçarit pas ndërhyrjes dentare, 7 persona në gjyq

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu dhe ka dërguar në gjyq shtatë persona, tre prej të cilëve me akuzën e vrasjes nga pakujdesia. I mituri humbi jetën pas një ndërhyrjeje dentare në një klinikë në Tiranë, tetorin e vitit 2023. Mjeku R. Xh., vajza e tij, I. Xh. dhe një dentist tjetër me iniciale M.G janë ata që akuzohen për vrasje nga pakujdesia edhe për mashtrim.

Gjithashtu shkelje u konstatuan edhe tek mjekët roje të pediatrisë V.A. dhe D.S. në momentin që i mituri u dërgua në spital. Sipas prokurorisë, mjekët nuk zbatuan protokollet mjekësore në drejtim të përcaktimit të diagnozës së duhur, evidentimin e shkaqeve më të zakonshme të shokut tek fëmijët dhe trajtimin e terapisë së përshtatshme me antibiotikë.

“Si rrjedhojë edhe moskryerja e veprimeve të tyre ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të të miturit, edhe pse ai ishte në gjendje të rëndë, fakt që rezultoi nga akti i riekspertimit, pasi vdekja e tij nuk erdhi nga mosveprimet e tyre, por nga shkaku kryesor dhe i drejtpërdrejtë, që ishin veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve R.Xh., I.Xh dhe M.G”, njoftoi prokuroria.

Nën akuzë kanë përfunduar edhe dy ekspertë të ekspertizës mjekoligjore, E.S. dhe E.A. që sipas prokurorisë kanë shkelur rëndë protokollet mjekësore në kryerjen e autopsisë.

Kujtojmë se i mituri iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare më 28 shtator 2023 në 14 dhëmbë në klinikën “Splendent” të drejtuar nga R. e I. Xh. Pas ndërhyrjes, i mituri u kthye në shtëpi dhe brenda pak orësh u dërgua në gjendje të rëndë shëndetësore (koma dhe insuficencë respiratore akute), në Spitalin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Disa ditë më vonë ai vdiq aty.

Për të dalë në këto përfundime, prokurorisë iu desh riekspertim mjekoligjor dhe ekspertim mjekoligjor shtesë nga ekspertë të huaj italianë. Ata zbuluan se shkaku kryesor i vdekjes së pacientit ishte shoku septik i rëndë. Sipas tyre, anestezisti dhe stomatologët që trajtuan të miturin kanë shkelur rëndë protokollet mjekësore të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij.

“Sipas aktit të riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, nga ana e grupit ekspertëve italianë, u arrit në konkluzionin se: Shoku septik i rëndë, që solli më pas insufiçencën progresive shumëorganore, është shkaku kryesor i vdekjes të pacientit të mitur B.S. Grupi i ekspertëve arriti në përfundimin se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, nga ana e anestezistit dhe stomatologeve që trajtuan të miturin, u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare dhe praktikave më të mira mjekësore, të cilat kanë një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij”, njoftoi prokuroria.

Latest from Blog

Go toTop