Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka kryer një sulm ajror ndaj një anijeje në Paqësorin lindor, duke vrarë dy persona, ndërsa një tjetër ka mbijetuar, sipas Komandës Jugore të SHBA-së.
Ushtria tha se anija dyshohej për trafik droge, pa paraqitur prova konkrete.
Komanda Jugore njoftoi se pas sulmit ka informuar Rojën Bregdetare amerikane për të nisur operacion kërkim-shpëtimi për të mbijetuarin, pa dhënë detaje mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Ky është një tjetër episod në serinë e sulmeve amerikane ndaj mjeteve lundruese në Paqësor dhe Karaibe, të cilat, sipas monitorimeve mediatike, kanë shkaktuar dhjetëra viktima. Operacionet kanë ngjallur kritika nga juristë dhe organizata për të drejtat e njeriut, të cilët i kanë cilësuar si vrasje jashtëgjyqësore në ujëra ndërkombëtare.