Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me një vit burgim të pandehurin F.B., për shkak të veprës penale shmangia nga sigurimi i mjeteve për jetesë.
Sipas kësaj gjykate, i pandehuri F.B., akuzohet se nga data 12 mars 2019 deri më 25 janar 2023,i është shmangur sigurimit të mjeteve të jetesës për fëmijët e tij, për të cilën është i obliguar të kujdeset në bazë të Aktgjykimit të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore në Ferizaj.
“I pandehuri sipas aktgjykimit ka qenë i detyruar që t`i paguaj të dëmtuarës – ish bashkëshortes A.B., për dy fëmijët e mitur mjetet për jetesë për periudhën nga data 12 mars 2019 për çdo muaj, në shumë prej njëqind e pesëdhjetë (150.00) euro për secilin fëmijë, e që në shumë të përgjithshme prej treqind (300.00) euro, derisa të ekzistojnë kushtet ligjore, ku i pandehuri i është shmangur detyrimeve duke mos i paguar shumat të cilat ka qenë i obliguar, në emër të ushqimit – alimentacionit të fëmijëve”, thuhet në njoftimin e gjykatës.