Kuvendi i Kosovës ka mbajtur mbrëmjen e së enjtes seancë të jashtëzakonshme lidhur me amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit nga populli, të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani.
Seanca që nisi pas orës 20:00 u shoqërua me deklarata të ndryshme nga përfaqësues të partive politike, ndërsa përfundimisht u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit për votim.
Para nisjes së seancës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e cilësoi të vonshme kërkesën për ndryshime kushtetuese.
“Kërkesa për ndryshime është e vonshme, këto ndryshime që kanë kaluar edhe nëpër filltrat e Gjykatës Kushtetuese kanë një kohë të gjatë”, deklaroi Zemaj, raporton Klankosova.tv.
Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, arsyetoi mbështetjen e kësaj partie për amendamentet, duke theksuar se zgjedhja e Presidentit nga populli do të rriste legjitimitetin demokratik.
“Kur qytetarët votojnë për presidentin, ata ndihen më të përfshirë në procesin politik dhe kjo e rritë interesimin për demokracinë dhe zgjedhjet në përgjithësi”, deklaroi Nagavci gjatë seancës.
Edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, u shpreh se në parim janë për zgjedhjen e Presidentit nga populli, por theksoi se një proces i tillë duhet të trajtohet në përputhje me Kushtetutën.
“Sonte kam pritur që, në fakt jo sonte, po shumë më herët që Kosova ta ketë të zgjedhur Presidenten apo Presidentin dhe jo të vijmë në këtë situatë që në orët e fundit të mandatit, deputetët e Kuvendit të sfidohen me një seancë të jashtëzakonshme, pa material dhe të flasim për plotësim-ndryshimin, apo amandamentimin e aktit më të lartë juridik të vendit, Kushtetutës së Kosovës. Pra, në parim jemi për, por kjo kërkon një trajtim në përputhje me rregulloret, me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh ai.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se LDK-ja i mbështet në parim amendamentet për zgjedhjen e Presidentit nga qytetarët.
“Janë në frymë me bindjen tonë ideologjike, presidenti i Kosovës duhet të zgjedhet nga qytetarët drejpërdrejt. Ta përsëris edhe një herë LDK i mbështet dhe i voton”, deklaroi Abdixhiku.
Nga e njëjta parti, deputetja Hykmete Bajrami tha gjatë seancës se çështja më e rëndësishme për vendin është shmangia e zgjedhjeve të reja.
“Sot nuk ka rend të ditës më të rëndësishëm se mos me i çu qytetarët në zgjedhje prapë dhe kush po i çon në zgjedhje, po i çoni ju që i keni marrë 51 për qind të votave dhe i keni sjellë në rend të ditës amandamente kushtetuese, të cilat assesi nuk e evitojnë çuarjen e vendit në zgjedhje”, tha Bajrami, së cilës më pas kryeparlamentarja ia ndali fjalën.
Më pas, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se në orën 22:00 do të zhvillohej një tjetër seancë.
Por edhe seanca e dytë u ndërpre pasi nuk pati kuorum për votim, sepse në sallë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, transmeton Klankosova.tv.
Pas seancës reagoi edhe deputeti i AAK-së Besnik Tahiri, i cili tha se partia e tij nuk mori pjesë në këtë proces, duke e cilësuar seancën si improvizim.
“U thirr për të bërë një improvizim, u shfrytëzua për të bërë disa deklarata politike, gjoja për të ndërruar Kushtetutën, proces ky i cili s’mund të ndodh në pikë të natës dhe nuk mund të ndodh në rrethana kur nuk ka diskutim paraprak. Pamë një improvizim të skajshëm, një tendencë për të shpërndarë një mjegull tek qytetarët e Kosovës”, tha ai.
Ndërkohë, tek vonë kryeparlamentarja Haxhiu njoftoi se i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese e Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit.
“Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit”, ka shkruar ajo në Facebook.
E njëherësh kandidatë për postin e presidentit janë Glauk Konjufca i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe deputetja po ashtu nga VV-ja, Fatmire Kollçaku, të cilën e bëri të ditur deputeti i LDK-së, Besian Mustafa në profilin e tij në Facebook.