March 10, 2026
3 mins read

Totaj: Lëndët më problematike të korrupsionit kanë përfunduar me aktgjykime liruese

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se rastet e korrupsionit janë ndër më sfidueset për sistemin gjyqësor, duke theksuar se një numër i madh i tyre përfundojnë me aktgjykime liruese.

Sipas tij, këto raste janë komplekse dhe sfiduese që nga faza e trajtimit në gjykatën e shkallës së parë e deri te vendimmarrja në instancat më të larta.

“Këto lëndë janë më sfiduese në vendosje dhe normalisht që kjo projektohet pastaj edhe në vetë nxjerrjen e atij vendimi dhe formës së vendosjes, përkatësisht trajtimit të lëndës nga gjykata e shkallës së parë”, tha Totaj.

Ai shtoi se nuk mund të hyjë në analiza të detajuara për vendime të caktuara, por theksoi se nga ajo që mund të vërehet në praktikë, një pjesë e madhe e rasteve përfundojnë me lirime nga akuzat.

“Me të vërtetë shihet që një numër i madh i këtyre lëndëve që janë më problematike ka përfunduar me aktgjykime liruese”, deklaroi Totaj.

Sipas tij, Gjykata e Apelit dhe instanca e tretë kanë krijuar një standard të caktuar për administrimin e provave.

“Gjykata e Apelit, po besoj edhe instanca e tretë, e ka krijuar një lloj standardi të administrimit të provave dhe standard profesional që mbeten pranë këtyre qëndrimeve të tyre”, tha ai.

Totaj shtoi se prokuroritë duhet të kenë parasysh nivelin e provave që kërkohet për të kaluar filtrin e gjykatës.

“Prokuroritë e niveleve përkatëse sigurisht që e kanë dijeni se si një provë duhet të administrohet apo cila është ajo gjendja faktike e cila duhet të arrijë një nivel të caktuar të besueshmërisë që pastaj ta kalojë filtrin e gjykatës”, u shpreh ai.

Sipas tij, raportet e institucioneve më kredibile qoftë të jashtme por dhe ato të brendshme e konstatojnë këtë gjendje dhe nuk mund të heshtin duke thënë se është mirë, pasi shumica e rasteve përfundojnë me aktgjykime liruese.

Ai tha se mbetet çështje diskutimi se ku qëndron përgjegjësia për këto rezultate.

“Tani a është faji te policia, a është faji te prokuroria apo është gjykata e shkallës së parë apo shkallës së dytë, është çështje e cila duhet të debatohet dhe diskutohet”, deklaroi Totaj.

Duke komentuar shqetësimet e ngritura nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) lidhur me cilësinë e arsyetimit të vendimeve gjyqësore, Totaj tha se kjo çështje lidhet më së shumti me vendimet e gjykatave të shkallës së parë.

“Po besoj që kjo më së shumti ka për target vendimet e gjykatës së shkallës së parë, sepse realisht aty pritet që arsyetimet të jenë më profesionale dhe më gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Megjithatë, ai pranoi se edhe Gjykata e Apelit ka obligim që vendimet e saj të jenë të arsyetuara sipas standardeve ligjore.

“Normalisht që edhe Gjykata e Apelit në raste të caktuara e ka obligimin e vet që vendimet e saj t’i arsyetojë në formën dhe standardin që kërkohet”, theksoi Totaj.

Ai shtoi se ka hapësirë për përmirësim në këtë drejtim në të gjitha nivelet e gjyqësorit.

“Sikurse në gjykatat e shkallës së parë, edhe në gjykatën e shkallës së dytë ka hapësirë për përmirësim”, tha ai.

Totaj theksoi se pjesa më e rëndësishme e vendimit gjyqësor është arsyetimi.

“Dispozitivi mund të ketë dy ose tre rreshta, por pse ka ardhur deri të ai dispozitiv duhet të jepet përgjigje në pjesën e arsyetimit”, deklaroi ai.

Sipas tij, në këtë proces ndikojnë edhe faktorë të ndryshëm, si përvoja dhe formimi profesional i gjyqtarëve. Tha se është e rëndësishme që arsyetimi i vendimeve të jetë i qartë jo vetëm për gjyqtarët, por edhe për publikun dhe palët në procedurë.

“Një lëndë kur të kthehet në rivendosje nuk i drejtohet vetëm gjyqtarit, por edhe publikut. Duhet të kuptohet pse një lëndë është kthyer në rivendosje dhe çka duhet të bëhet më pas”, përfundoi Totaj.

Totaj tha se ka raste kur vendimi prishet nga Apeli jo për pjesën arsyetuese por për vetë strukturën e tij, i cili nuk është sipas ligjit. Në këtë drejtim, tha se duhet të mbahen me shumë trajnime edhe nga Akademia e Drejtësisë.

Latest from Blog

Theret me thikë një nxënëse në Pejë

Një nxënëse është therur me thikë para pak çastesh në Pejë. Burimet e IndeksOnline kanë thënë se rasti ka ndodhur në stacionin e autobusëve në Pejë. Viktima është nisur me urgjencë drejt
Go toTop