Katër policë kanë pësuar lëndime gjatë arrestimit të një 45-vjeçari nga Samadraxha e Suharekës.
Sipas njoftimit zyrtar, sot rreth orës 08:30, Policia e Kosovës ka pranuar një ankesë nga një qytetar se i dyshuari B.K., kishte bllokuar rrugën “Ramush Kotori”, duke vendosur shufra metalike të ngulitura në tokë dhe të lidhura me tel, duke penguar qarkullimin e lirë të banorëve.
Në njoftimin theksohet se gjatë ndërhyrjes, i dyshuari ka sulmuar zyrtarët policorë me thike.
“Policia ka reaguar me veprime të menjëhershme, duke neutralizuar sulmin dhe duke arritur ta arrestojë të dyshuarin”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Sipas policisë, gjatë procesit të arrestimit, si pasojë e kundërshtimit të dhunshëm nga ana e të dyshuarit, katër zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, por jo nga thika.
“I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në Stacionin Policor në Suharekë, ku në konsultim me Prokurorin e Shtetit do të ndërmerren veprimet e tjera procedurale, në përputhje me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”.