March 11, 2026
1 min read

OVL e UÇK reagon ndaj deklaratave të Speciales për respektimin e të drejtave të të akuzuarve

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK) ka reaguar pas njoftimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila përmes faqes së saj zyrtare në “X” deklaroi se gjyqtarët sigurojnë respektimin e të drejtave të të akuzuarve në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në reagimin e saj, OVL e UÇK e konsideron deklaratën e gjykatës si një përpjekje për të “hedhur hi syve popullit të Kosovës”. Organizata thekson se qytetarët kanë parë gjatë gjithë këtyre viteve shkeljet e të drejtave themelore të të akuzuarve dhe nuk besojnë në respektimin real të Kushtetutës gjatë procesit.

“Pikërisht për këtë arsye, sot shtrojmë një pyetje të thjeshtë dhe krejt legjitime: nëse gjykimi është në fazën përmbyllëse, pse bashkëluftëtarët tanë nuk lejohen ta presin verdiktin përfundimtar në shtëpitë e tyre, pranë familjeve dhe popullit të tyre?” thuhet në reagim.

OVL e UÇK thekson se mbajtja e të akuzuarve në paraburgim të pafund është e paarsyeshme, duke kërkuar një përgjigje të qartë dhe jo deklarata formale.

Organizata thekson se kërkon drejtësi të vërtetë dhe standarde të barabarta, siç aplikohen në çdo sistem gjyqësor demokratik.

Ky reagim vjen në një kohë kur Gjykata Speciale po afrohet drejt përfundimit të proceseve të saj, ndërsa tensionet dhe polemikat për të drejtat e të akuzuarve mbeten një çështje me rëndësi të madhe për opinionin publik në Kosovë.

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop