March 11, 2026
2 mins read

Nga mishi te mollët, rritja e çmimeve godet kuletën e qytetarëve

Rritja e çmimeve në Kosovë po vazhdon edhe në muajt e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave, inflacioni në muajin shkurt ka arritur në 6 për qind.

Shtrenjtimi kryesisht po ndodh tek produktet ushqimore.

Disa nga produktet bazë janë shtrenjtuar dukshëm krahasuar me një vit më parë.

Çmimi i mishit të viçit është rritur nga 10 euro e 47 cent për kilogram në 12 euro e 90 cent.

Rritje është vërejtur edhe te disa produkte tjera të përditshme, raporton RTV Dukagjini.

Mollët janë rritur nga 1 euro e 7 cent në 1 euro e 30 cent për kilogram, ndërsa domatet nga 1 euro e 71 cent në 1 euro e 98 cent për kilogram.

Shtrenjtim është regjistruar edhe te pijet dhe produktet e konsumit.

Çmimi i kafesë së bluar është rritur nga rreth 14 euro e 52 cent për kilogram në më shumë se 16 euro.

Për qytetarët, këto shifra përkthehen në një barrë gjithnjë e më të madhe për buxhetin familjar.

“Çmimet me të vërtetë janë të padukshme. Por, megjithatë duhet të kalojmë këto kriza sepse me këto paga marrin qytetarët e Kosovës të them të vërtetën shumë vështirë është që të kalohet muaji”, ka thënë Albert Maloku – Qytetar.

“Kjo është katastrofë për qytetarët. Kur ndalen nuk e dimë, kanë shkuar çmimet në tavan”, , ka thënë Albert Maloku – Qytetar.

Disa të tjerë fajësojnë Qeverinë e Kosovës dhe bizneset për rritjen e çmimeve.

“Këtu duhet të ndërmarrë Qeveria. Për çka i zgjedhim na e dalim votojmë? Për një Qeveri, Qeveria që dy vjet pushon se i ka llukset e veta”, ka thënë Rabit Halili – Qytetar.

“Po bizneset te ne gjithmonë ka dashur të fitojnë qind për qind ose 1000%, jo një fitim pak më real, por gjithmonë kanë shkuar me maksimumin”, ka thënë Magbule Ibrahimi – Qytetare.

Gjithashtu, sipas raportit të ASK-së, shërbimet që lidhen me pajisjet personale të transportit janë ndër ato që janë shtrenjtuar më së shumti gjatë vitit të fundit, së bashku me biletat e fluturimeve.

Ndërkohë, me rritjen e fundit të çmimit të derivateve, mund të priten edhe shtrenjtime të reja, paralajmëron kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.

“Ngritja e çmimit të derivateve të naftës do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e transportit, qoftë të mallrave, qoftë të udhëtarëve, në industri dhe te konsumatorët. Prandaj, pritet që edhe produktet e tjera mund të shtrenjtohen”, ka thënë Agim Shahini – Aleanca Kosovare e Bizneseve.

Kurse, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, ka vazhduar edhe sot monitorimit e tregut të derivateve të naftës.

Sipas njoftimit, çmimi i naftës sillet nga 1.44 €/litër deri në 1.54 €/litër, kurse nga të dhënat e Doganës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës është 1.45 €/litër.

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop