March 11, 2026
1 min read

Vazhdon nesër seanca gjyqësore ndaj Nagip Krasniqit

Gjatë ditës së nesërme në Gjykatën Themelore të Prishtinës pritet të vazhdojë gjykimi ndaj ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.

Ai po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa gjatë ditës së sotme në gjykimin ndaj tij ka dëshmuar edhe dëshmitari Mustaf Kavaja i cili tha se aktiviteti i prokurimit për të cilin po zhvillohet procesi ishte realizuar me procedurë të negociuar pa publikim dhe se në fund ishte arritur deri te nënshkrimi i kontratës nga të dy palët.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores së rastit, Fikrije Fejzullahu, e cila kërkoi sqarime për historikun e aktivitetit të prokurimit, Kavaja tha se l në Zyrën e Prokurimit, secilit zyrtar i ndahen detyra të caktuara dhe se ai kishte qenë i angazhuar edhe në këtë aktivitet.

“Si praktik në zyrën e prokurimit çdo zyrtari i ndahen punët. Në një prej aktiviteteve që kam qenë i angazhuar është edhe aktiviteti për të cilin po diskutojmë. Ka qenë me procedurë të negociuar pa publikim. Kemi ardhur në fund me një kontratë të nënshkruar nga dy palët. Ecuria ka qenë se së pari e kemi njoftuar KRRPP në lidhje me zhvillimin e kësaj procedure, mandej e kemi përgatitur dosjen, ftesën dhe përshkrimin e çmimit. Ja kemi përcjellur operatorit ekonomik të cilit kontrata i është dhënë dhe i kemi ftuar që të dorëzojë ofertën dhe pastaj të zhvilloj negociata”, tha ai.

I pyetur se kush e kishte ngarkuar me detyra, dëshmitari u përgjigj se “Drejtori i zyrës së prokurimit Ymer Dragusha”.

Në pyetjen e radhës nëse ky aktivitet kishte qenë i paraparë në planin e prokurimit, ai deklaroi: “Nuk më kujtohet”.

Prokurorja e pyeti se kush e kishte përcaktuar operatorin ekonomik në këtë procedurë, ndërsa Kavaja tha se informacionin për caktimin e operatorit e kishte marrë nga Ymer Dragusha.

“Unë informatat për caktimin e operatorit ekonomik i kam marrë nga Ymer Dragusha”, tha ai.

Seanca nis nga ora 09:30 minuta.

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop