Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu në Politiko tha se shpërndarja e Kuvendit duhet të bëhet vetëm në raste të qarta të përcaktuara nga Kushtetuta, duke theksuar se çdo veprim jashtë këtyre dispozitave përbën shkelje kushtetuese, shkruan Gazeta 10.
Sipas tij, bazuar në doktrinën kushtetuese dhe praktikat e kushtetutave krahasuese, si dhe në qëndrimet e Komisionit të Venecias, shpërndarja e Kuvendit ndodh vetëm kur ekzistojnë dispozita të qarta kushtetuese dhe një nivel i lartë parashikueshmërie për mënyrën dhe momentin kur duhet të ndodhë një veprim i tillë.
Sallahu ka thënë se në momentin kur presidentja nxjerr një dekret për shpërndarjen e Kuvendit me një preambulë që, sipas tij, nuk përputhet me nenin përkatës të Kushtetutës, atëherë kemi të bëjmë qartazi me shkelje kushtetuese.
Ai theksoi se dekreti është bazuar në Nenin 86 paragrafi 2 i Kushtetutës së Kosovës në lidhje me Nenin 82 pika 1,3 të Kushtetutës së Kosovës, por sipas tij këto dispozita nuk komunikojnë mes vete në mënyrën se si janë interpretuar.
“Sidomos dispozita e nenit 86, paragrafi 2, e cila përcakton që presidenti duhet të zgjidhet një muaj para përfundimit të mandatit aktual. Në këtë rast, nëse dështon zgjedhja e presidentit, në asnjë formë vendi nuk dërgohet në shpërndarje të Kuvendit mbi bazën e atij neni”, ka thënë Sallahu në Politiko.
Ai shtoi se Kuvendi nuk guxon të shpërndahet mbi bazën e këtij interpretimi dhe se një veprim i tillë përbën, sipas tij, “një shkelje të tejkalueshme kushtetuese që nuk çon në shpërndarje të Kuvendit”.