March 11, 2026
1 min read

Rezoluta e PE-së për zgjerimin: Dialogu Kosovë-Serbi, thelbësor që dy vendet të ecin përpara

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë të mërkurën në lidhje me strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Teksti i miratuar, mes tjerash, siç raporton Klankosova.tv, përmend edhe avancimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane e cila, sipas Rezolutës, kontribuon në stabilitetin rajonal.

Rezoluta nënvizon rëndësinë e Dialogut Kosovë-Serbi, i cili thotë se është thelbësor për të dyja vendet “që të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane dhe do të kontribuojë në stabilitetin dhe prosperitetin rajonal”.

Po ashtu, Rezoluta përgëzon Shqipërinë dhe Malin e Zi për progresin e tyre të rëndësishëm, “duke vënë në dukje ambiciet e tyre për të përfunduar negociatat deri në fund të vitit 2026 dhe në fund të vitit 2027 përkatësisht”.

Teksti i miratuar “u bën thirrje institucioneve të BE-së, veçanërisht Këshillit, që t’i përgjigjen kësaj ambicieje, të heqin pengesat nga ana e BE-së dhe kështu të rrisin besueshmërinë dhe parashikueshmërinë e procesit, duke respektuar plotësisht parimin e ‘bazuar rreptësisht në meritë’”, raporton Klankosova.tv.

Rezoluta e miratuar në seancën e sotme të Parlamentit Evropian nënvizon edhe rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm me mirëbesim të Marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në përputhje me kornizën negociuese të BE-së.

Latest from Blog

Tahiri: Haradinaj për president do të kishte vota edhe nga VV

Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në “Click” ka bërë të ditur se partia e tij u ka dërguar letër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), duke kërkuar reflektim politik dhe gjetjen e një kandidati të përbashkët për postin e presidentit. Sipas tij, në këtë iniciativë AAK nuk ka kërkuar që kandidat të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, por një emër që mund të mbështetet nga opozita. “Ne kemi dërguar letër LDK-së dhe PDK-së. I kemi kërkuar dy çështje: e para kemi kërkuar reflektim mbi një situatë politike e diplomatike që të mos biem në diktatin e Lëvizja Vetëvendosje. Në letër kemi kërkuar që të gjejmë një kandidat të përbashkët për president. Asnjëherë nuk kemi kërkuar që Ramush Haradinaj të jetë kandidat,” tha Tahiri. Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur letrës duke u arsyetuar se kishte angazhime të tjera, ndërsa me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, sipas tij, është zhvilluar takim, por pa një përgjigje të qartë për këtë propozim. Tahiri theksoi gjithashtu se është i bindur që një numër i madh deputetësh do ta kishin votuar Haradinajn për president, përfshirë edhe disa nga radhët e Vetëvendosjes, por sipas tij, numrat e nevojshëm nuk u siguruan nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Go toTop