Në Mitrovicën e Veriut është mbajtur një tryezë me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në kuadër të fushatës vetëdijësuese për Ligjin për Automjete dhe Ligjin për të Huaj, e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.
Sipas njoftimit, në takim morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i MPB-së, Genc Metaj, Shefja e Kabinetit të Ministrit, Jeta Tela, Drejtori i Përgjithshëm i ARC-së, Jetmir Haziri, zyrtarë të lartë nga Policia e Kosovës, zyrtarë të MPB-së, si dhe përfaqësues të OJQ-ve.
Gjatë takimit, Jeta Tela theksoi se qëllimi i tryezës është informimi i drejtpërdrejtë i organizatave të shoqërisë civile, përfshirë ato që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë, lidhur me fushatën që po zhvillon ministria për këto dy ligje.
Ajo theksoi se këto nuk janë ligje të reja, pasi Ligji për të Huaj është në fuqi që nga viti 2013, ndërsa Ligji për Automjete që nga viti 2017. Megjithatë, sipas saj, institucionet po zhvillojnë këtë fushatë me qëllim që qytetarët, vizitorët e huaj dhe të huajt që hyjnë në Kosovë të kenë informacionet e nevojshme për të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore.
“Në vazhdën e përmirësimit të shërbimeve dhe ofrimit të tyre sa më afër qytetarëve, Ministria e Punëve të Brendshme ka punuar njëkohësisht edhe në decentralizimin e shërbimeve. Pra, tash përveç në Prishtinë, do të ofrohet mundësia për aplikim për leje qëndrimi edhe në tri rajone të tjera: në Mitrovicën e Veriut, Gjilan dhe Prizren”, tha Tela, duke shtuar se kjo do të mundësojë qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në këto shërbime për të gjithë ata që preken nga Ligji për të Huaj, përfshirë edhe komunat e pjesës veriore.
MPB-ja ka shprehur gjithashtu zhgënjimin që disa organizata të shoqërisë civile nga komuniteti serb kanë bojkotuar këtë takim informues, duke mos shfrytëzuar mundësinë për të kontribuar në informimin e komuniteteve që përfaqësojnë apo të të huajve që qëndrojnë në komunat e tyre, si dhe për të marrë pjesë në diskutime rreth këtyre ligjeve.
“Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të mbajë takime informuese për një komunikim të hapur me qytetarët dhe organizatat. Po ashtu, u bëhet thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dezinformatave dhe për çdo informacion të saktë të ndjekin kanalet zyrtare të MPB-së dhe Policisë së Kosovës”, theksohet në njoftim.
Zyrtarët e MPB-së kanë vizituar gjithashtu zyrtarët përgjegjës për pranimin e aplikimeve për Ligjin për të Huaj në Komunën e Mitrovicës së Veriut pas datës 15 mars 2026.