March 14, 2026
1 min read

Kurti mbledh dy ditë rresht kabinetin qeveritar

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sot ka mbledhur në takim kabinetin qeveritar.

Përmes një postimi në Facebook, ai njoftoi se takimi i përbashkët i Qeverisë Kurti 3 do të zgjasë dy ditë dhe ka për qëllim që zotimet e fushatës dhe ekspozenë e prezantuar para deputetëve të shndërrohen në program qeverisës, raporton Klankosova.tv

“Në zgjedhjet e dhjetorit 2025, qytetarët na dhanë një besim të paparë në Kosovën e pasluftës. Ne kërkuam besimin qytetar për ta kthyer atë në siguri e begati. Nuk garuam me premtime që harrohen, por me zotime që jetësohen. Në dritë të kësaj, sot kemi filluar një takim të përbashkët të kabinetit tonë qeveritar, i cili do të vazhdojë për dy ditë rresht, me qëllim që zotimet e fushatës para qytetarëve dhe ekspozenë e prezantuar para deputetëve t’i shndërrojmë në program qeverisës”, shkroi Kurti.

Ai theksoi se angazhimi për të mirën e përgjithshme, zhvillimin, barazinë dhe integritetin shtetëror , sipas tij, do të mbeten bazë e qeverisjes së tij.

“Zotime që kthehen në program dhe program që përkthehet në plane me projekte, qëllime me objektiva, strategji me operacione, masa me punë të përditshme që do të realizohen përgjatë këtij mandati. Angazhimi, e mira e përgjithshme dhe interesi publik, zhvillimi dhe barazia, integriteti dhe dinjiteti shtetëror kanë qenë dhe do të mbeten pikënisja dhe synimi i qeverisjes sonë”, shkroi i pari i Qeverisë./

Latest from Blog

Go toTop