Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj Jetmir Jusufit, i cili dyshohet se ka vrarë vëllanë e tij, Faruk Jusufin, të shtunën më 21 mars në Bokshiq të Klinës.
Gazeta Insajderi ka siguruar dokumentin e gjykatës për masën e paraburgimit.
Ai dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në kontroll, pronësi ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Mbrojtësja e të pandehurit, avokatja Mimoza Zeka, gjatë seancës dëgjimore deklaroi se viktima fillimisht e kishte sulmuar të pandehurin.
“Në cilësinë e mbrojtëses së të pandehurit Jetmir Jusufaj, e kundërshtoj fuqishëm në tërësi kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit. Nga vetë përshkrimi i Prokurorisë rezulton qartë se ngjarja ka ndodhur më 21.03.2026, rreth orës 15:00, dhe nuk ka qenë një veprim i paramenduar apo i organizuar nga i pandehuri Jetmir, por ka qenë një konflikt i çastit mes dy vëllezërve. Prokuroria vetë pranon se i ndjeri fillimisht e ka sharë dhe fyer të pandehurin Jetmir dhe më pas ka kaluar në veprime konkrete, duke e sulmuar atë me mjete të rrezikshme, siç është shati. Ky element paraqet një indicie serioze dhe thelbësore, e cila nuk mund të anashkalohet, pasi tregon qartë se kemi të bëjmë me një situatë të përshkallëzuar dhe me rrezik të menjëhershëm për jetën e të pandehurit. Në këto rrethana, veprimi i të pandehurit nuk mund të trajtohet si një akt i izoluar, por duhet të analizohet në kontekstin e mbrojtjes së nevojshme ose të tejkalimit të saj, çështje kjo që do të jetë objekt shqyrtimi gjatë hetimit.Sa i përket pretendimit të Prokurorisë për ndikim mbi dëshmitarët, përmendën anëtarët e familjes, si prindi dhe vëllai i tij. Në këtë fazë nuk argumentohet në asnjë moment se në çfarë mënyre i pandehuri do të ndikojë tek ata; këto janë supozime të përgjithshme, të cilat nuk mund të plotësojnë standardet ligjore për të kufizuar lirinë e një personi. Kërkojmë nga Gjykata që të shqiptojë masën e arrestit shtëpiak, pasi dy dëshmitarët e përmendur janë prindi dhe vëllai i të pandehurit dhe dëshmia e tyre është e dhimbshme në këtë çështje për të pandehurin dhe për gjithë familjen. Andaj, kërkojmë që të refuzohet kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit dhe të caktohet masa më e butë, siç është ajo e arrestit shtëpiak”.
I pandehuri deklaroi: Nuk kam çka të shtoj e përkrahi në tërësi deklarimin e mbrojtes time.