April 16, 2026
1 min read

Azemi – këshilltarit në MINTI: Juve nuk ju besoj, prandaj kam shkuar në Prokurori

Sekretari organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi ka thënë se nuk ka besim se mekanizmat e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), do të ndërmarrin masat e nevojshme për çështjen e njehsorëve elektrikë. 

Në emisionin “Konfront” në KTV ai i ka thënë këshilltarit në MINTI, Ali Tafarshiku, se për këtë arsye dëshmitë që njehsorët kanë pasur orë në shpërputhje me orën reale, i ka dërguar në Prokurori e në Drejtorinë e krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës. 

“Shteti e ka për obligim ta mbrojë qytetarin, unë po them që ty nuk po të besoj se ti ke qenë në gjumë, ti nuk ke bërë asgjë, për këtë kam shkuar në Prokurori, kam shkuar te krimet ekonomike, kam thënë ja ku i keni dëshmitë”, është shprehur Azemi. 

Ai ka thënë se edhe Ministria obligohet të ju dërgojë të gjitha dëshmitë organeve të drejtësisë.

Tafarshiku, ka thënë se nga data 31 mars e deri më tani kanë pranuar gjithsej 664 ankesa nga qytetarët për shpërputhje të orës që figuron në njehsorë me atë reale.

Tafarshiku ka bërë të ditur po ashtu se pesë gjoba janë shqiptuar sot ndërsa shtatë të tjera janë në proces.

 “Njehsorët e skaduar i kemi verifikuar dhe menjëherë inspektorati ka vijuar të shqiptojë gjoba, pesë sot, shtatë janë në proces. Nga data 31 mars deri në këtë moment i kemi 664 ankesa, prej tyre 444 janë në formën elektronike që i kanë bashkëngjitur edhe argumentet me foto ndërsa 220 tjera kanë qenë thirrje telefonike për të cilat komisioni verifikues është duke dalur çdo ditë në teren. Në bazë të rezultateve të deritanishme rezulton që 90 për qind rezulton që koha reale nuk përputhet me kohën që figuron në njehsorë”, ka thënë Tafarshiku.

Mospërputhje në njehsorë siç potencoi Tafarshiku ka edhe në datë dhe se 90% e njehsorëve për të cilët janë adresuar ankesa kanë datë ose orë të gabuar.

“Kemi diferencë prej 12 orësh, kemi diferencë prej 4-5 ditëve në përputhje të datave”, deklaroi këshilltari i MINTI-t.

Latest from Blog

Go toTop