Policia e Kosovës ka realizuar një aksion të gjerë në veri të vendit, ku në gjashtë raste të ndara ka zbuluar dhe sekuestruar armë, municion dhe mjete të tjera ilegale në Komunën e Zubin Potokut.
Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri, aksioni është zhvilluar pas informatave të pranuara nga qytetarët, ndërsa kontrollet janë kryer në disa lokacione në fshatrat Banovë dhe Prevllak.
Në rastin e parë, policia ka kontrolluar një shtëpi të pabanuar ku janë gjetur katër pushkë të ndryshme, 223 fishekë, tre radio-lidhje, një kamerë, uniforma ushtarake dhe pajisje për pastrimin e armëve.
Në rastin e dytë, gjatë kontrollit në një shtëpi është sekuestruar një pushkë pa leje dhe tre fishekë. Në vendngjarje është hasur një person i identifikuar me inicialet M.R. (1972), i cili është shoqëruar në stacion policor. Pas intervistimit, ai është liruar me urdhër të prokurorit, ndërsa rasti ndaj tij do të hetohet për armëmbajtje pa leje.
Ndërkaq, në rastin e tretë, në një tjetër shtëpi të pabanuar janë gjetur një armë AK-47, tre karikatorë, 88 fishekë dhe një granatë dore M75 e prodhimit jugosllav. Njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (EOD) kanë intervenuar në vendngjarje dhe kanë tërhequr granatën në mënyrë të kontrolluar.
Në rastet e tjera, policia ka sekuestruar edhe armë të tjera si AK-47, pushkë M48 (e çmontuar), pushkë gjuetie, si dhe një mekanizëm të armës së gjatë, bajonetë dhe uniforma ushtarake, të cilat janë gjetur kryesisht në objekte të pabanuara dhe një hambar.
“Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin e Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rasteve për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Policia ka bërë të ditur se hetimet lidhur me këto raste do të vazhdojnë”, thuhet në njoftimin e Policisë transmeton Klankosova.tv.