Ministri i Punëve të Jashtme i Belgjikës, Maksim Prevot, u kthye në Bruksel të premten në mbrëmje pas një misioni njëjavor në Ballkanin Perëndimor, ku ai inkurajoi ambiciet evropiane të disa vendeve, ndërsa nga afër pa tensionet në rajon.
Siç raporton media belge “Nieuwsblad”, gjatë udhëtimit të tij, ministri vizitoi edhe Kosovën, ku ky medium thotë se situata politike mbetet e tensionuar, transmeton Klankosova.tv.
Tutje thuhet se zgjedhjet e reja janë në prag si pasojë e një ngërçi të zgjatur politik, teksa shtohet se edhe tensionet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës “mbeten të larta, sidomos në veri të vendit”.
Megjithatë, sipas Prevot, anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet “një perspektivë e besueshme”, pavarësisht faktit se Kosova ende nuk njihet nga pesë shtete anëtare të BE-së.
Gjatë vizitave të tij në Prishtinë, Shkup, Podgoricë, Sarajevë e Beograd, ministri belg ritheksoi nevojën që Bashkimi Evropian të vazhdojë t’i ofrojë perspektivë rajonit.
“Ballkani është një rajon vendimtar për stabilitetin e kontinentit evropian dhe ne duhet t’u japim shpresë këtyre vendeve, popullsia e të cilave është kryesisht proevropiane”, tha ai.
Sipas Prevot, Evropa duhet të mendojë edhe në mënyrë strategjike përpara. “Jemi në një moment gjeopolitik që kërkon të kujdesemi për fqinjët tanë. Nuk mund të synojmë një Evropë më të pavarur, që vepron si superfuqi gjeopolitike, dhe në të njëjtën kohë t’i kushtojmë vëmendje vetëm asaj që ndodh në kontinente të tjera”, tha ministri i jashtëm belg. /Klankosova.tv