Në Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, pran shtatores së Zahir Pajazitit në kryeqytet, krerë institucionesh shtetërore po bëjnë homazhe.
Homazhe bëri U.D. e Presidentes së vendit, njëherësh kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Haxhiu vlerësoi jetën dhe veprën e tij, duke shtuar se me respekt vlerësohet dhe nderohet çdo dëshmor, shkruan EkonomiaOnline.
“Mirë se po gjejmë njëri-tjetrin këtu te ‘Zahir Pajaziti’, në ditën e dëshmorëve të Prishtinës, që me respekt e vlerësojmë jetën dhe veprën e heroit tonë Zahir Pajazitit, por edhe të të gjithë bashkëluftëtarëve të tjerë”.
“Zahir Pajaziti me shokë ishin ndër të parët që i dhanë kuptim rezistencës së organizuar kundër regjimit të asaj kohe, madje shërbyen edhe si shembull i guximit, vendosmërisë në rrethana tejet të vështira për vendin tonë. Kontributi i tyre nuk ishte vetëm kontribut gueril, ushtarak apo profesional, por ishte edhe kontribut moral për faktin se ata ngritën lart shpresën që vendi jonë mund të ketë liri, mund të çlirohet dhe mund të jetë i pavarur. Madje ata shërbyen edhe si frymëzim që shumë të rinj e të reja t’i bashkohen radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Sot nderojmë jetën dhe veprën e heroit tonë Zahir Pajaziti, gjithë dëshmorëve të Prishtinës por edhe gjithë dëshmorëve të kombit. Institucionet e Republikës së Kosovës sikurse edhe shoqëria jonë asnjëherë nuk duhet ta harrojë kontributin e tyre sepse në fakt ishte kontributi i tyre që sot ne jetojmë në një shtet të lirë dhe të pavarur”, tha Haxhiu para mediave.
Veç tyre, homazhe bëri edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me bashkëpunëtorë.
Ndërkaq, me rastin e 18 prillit – Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, kryetari Rama, bashkë me komandantë e familjarë të dëshmorëve, kanë bërë homazhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Velani.
Rama ka thënë se sot po nderojnë heronjtë të cilët luftuan për paqe dhe demokraci të cilat ne sot i gëzojmë.
“Këtu sot jemi së bashku me komandantë, me familje të dëshmorëve për ta nderuar sakrificën e madhe që kanë dhënë këta dëshmorë tonë, heronj tonë për paqe, për liri, për demokraci që sot ne e gëzojmë, si popull si shtet. Jemi bërë të gjithë së bashku dhe si çdo vit kemi ardhë edhe këtë vit ta bëjmë nderin tonë në shenjë të madhe për respektin e tyre dhe familjeve të tyre për sakrificën për vendin tonë, për paqe në vendin tonë”, ka thënë Rama.

Gjithashtu, homazhe me rastin e 18 prillit – Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës në Velani, kanë bërë edhe dy ministrat e kabinetit qeveritarë, ai i mbrojtjes Ejup Maqedonci, dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e UÇK-së, Andin Hoti.
“Ne përkujtojmë se çfarë sakrifice e madhe ka qenë për me arrit aty ku jemi sot, në lirinë e Kosovës, lirinë e vendit dhe pavarësinë e vendit. Por ne obligohemi edhe si institucione edhe si individë por edhe si shoqëri të kujtojmë këto vlera, të dokumentojmë këto vlera, mos t’i harrojmë këto vlera sepse një gjë ka mbetur mangu, Serbia nga këtu është shporrë por drejtësia nuk është vu në vend ende dhe përmes dokumentimit të këtyre vlerave ne duhet të bëjmë padi ndaj Serbisë dhe ne duhet me kërkua drejtësi ndaj të rënëve në liri”, ka thënë Hoti.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka përkujtuar Zahir Pajazitin për nder të ditës së dëshmorëve të Prishtinës.
Ai tha se Kosova po ecën në rrugë të duhur me fuqizimin e ushtrisë duke iu referuar të kaluarës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Për zhvillimin e të gjithë atyre luftëtarëve që i mbijetuan luftës e që u bënë pjesë e strukturave të sigurisë edhe mbrojtjes. Sot në këtë ditë përkujtimi, unë mund të them që sot vendi ynë po ecën në drejtimin e duhur. Ushtria jonë po ndërtohet duke pasur gjithmonë për bazë, themelet e saj, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, gjakun e derdhur për liri, sakrificën e brezave të tërë për lirinë e vendit tonë. Fuqizimi i ushtrisë, armatosja e ushtrisë, zhvillimi i ushtrisë po bëhet gjithmonë duke iu referuar një të kaluare që është shumë e lavdishme, që është e kaluara e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit, lavdi dëshmorëve të komunës së Prishtinës”, tha Maqedonci para mediave.
Për homazhe te shtatorja e Zahir Pajazitit kanë qëndruar edhe deputetë dhe anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Vlora Çitaku, deputete e kësaj partie, tha se liria e Kosovës ka ardhur me sakrificë të lartë.
“Sot nderojmë dëshmorët dhe heronjtë e Prishtinës. Liria jonë, shteti, pavarësia, çdo gjë që gëzojmë sot ka ardhur me një çmim dhe me një sakrificë të lartë. Dhe për ne që jemi gjallë sot dhe që marrim frymë, sa herë që e humbim rrugën vijmë këtu, dhe rrugëtimi dhe amaneti është udhërrëfyesi ynë për hapat që na presin. Sigurisht nderim i përjetshëm për dëshmorët, për heronjtë, për ata që dhanë gjithçka që ne sot të jemi të lirë”, tha Çitaku.