Tahiri ka theksuar se një qeveri në dorëheqje nuk është thjesht “në pritje”, por funksionon me kompetenca të kufizuara, të përcaktuara qartë me Ligjin për Qeverinë. Ai i është referuar nenit 31 të këtij ligji, i cili ndalon inicimin e procedurave të reja për emërime në pozita publike gjatë kësaj periudhe.
Sipas tij, kjo ndalesë vlen edhe për periudhën pas shpërndarjes së Kuvendit, deri në zgjedhjen e një qeverie të re me legjitimitet të plotë.
Në këtë kontekst, Tahiri ka shprehur shqetësim për shpalljen e konkurseve për rreth 20 pozita të larta udhëheqëse nga ana e qeverisë në dorëheqje.
“Këto veprime jo vetëm që bien ndesh me frymën e kufizimeve ligjore, por krijojnë edhe perceptimin e kapjes së institucioneve në një moment tranzicioni, kur vendimet e mëdha duhet t’i lihen legjitimitetit të ri”, ka deklaruar ai.
Në fund, Tahiri ka theksuar se respektimi i ligjit nuk është çështje zgjedhjeje, por detyrim për çdo institucion dhe bartës të pushtetit.