Ka mbetur vetëm edhe një ditë për subjektet politike të njoftojnë pjesëmarrjen në zgjedhje ose mospjesëmarrjen dhe deklarimin e koalicioneve, disa nga partitë politike kanë kryer këto obligime ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për Klankosova.tv. deri më tani (e mërkurë, 6 maj 2026, ora 12:00), KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 18 parti politike; mospjesëmarrjen nga 4 të tjera dhe formimin e 1 koalicioni të përbërë nga 2 parti politike.
“Është duke vazhduar periudha për partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës për ta njoftuar KQZ-në për: pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe formim të koalicioneve. Kjo periudhë ka filluar më 1 maj dhe do të përfundojë më 7 maj. Deri më tani (e mërkurë, 6 maj 2026, ora 12:00) KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 18 parti politike, mospjesëmarrje nga 4 parti politike dhe 1 koalicion i përbërë nga 2 parti politike”, deklaroi Elezi.
Më tej, sipas tij, “këto obligime vlejnë vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrimit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës”.
Sipas tij, partitë politike që deri në këtë kohë kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë: Partia Socialdemokrate; Kosovaki Nevi Romani Partia; Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; Za Slobodu Pravdu i Opstanak; Srpska Lista; Yenilikçi Türk Hareket Partisi; Lidhja Demokratike e Kosovës; Fjala; Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; Socialdemokratska Unija; Jedinstvena Goranska Partija; Kosova Demokratik Türk Partisi; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; Nova Demokratska Stranka; Partia Liberale Egjiptiane; Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; dhe Kosovski Savez.
Ndërkaq, sipas tij, partitë politike që deri më tani kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: Partia Demokratike e Unitetit; Balli Kombëtar i Kosovës; Lëvizja Qytetare Vatra; dhe Bashkimi për Ndryshim Anamorava.
Sipas të dhënave të KQZ-së, 6 ditë nga hapja e afatit për deklarim të koalicioneve, KQZ ka pranuar vetëm njoftimin për formimin e koalicionit nga dy parti boshnjake.
Bëhet fjalë për Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, që kanë paraqitur në KQZ koalicionin me emrin “Koalicija VAKAT”.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, njoftimi nga partitë politike të regjistruara i pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes në zgjedhje dhe formimi i koalicioneve është një proces tjetër nga aplikimi për certifikim i subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë.
Elezi deklaroi se afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 12 maj.
“Duke filluar nga data 2 maj dhe deri më 12 maj, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur”, tha Elezi.
Ndërkaq, po sipas tij, dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë nga subjektet politike ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 12 maj 2026.
“KQZ ka vendosur afatin 11-ditore, nga 2 maj deri më 12 maj 2026, për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, tha Elezi.