Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, do të udhëtojë për në Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme.
Gjatë turneut ai do të zhvillojë takime me udhëheqësit nga rajoni dhe do të bashkëkryesojë Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi më 5 qershor.
Në një njoftim të Këshillit Evropian bëhet e ditur se Costa do të diskutojë mundësitë dhe sfidat rreth zgjerimit, integrimit gradual, bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe stabilitetit.
“Presidenti Costa do të vizitojë gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor, duke filluar në Sarajevë të hënën, më 1 qershor, kur do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Beçiroviq, Zheljko Cvijanoviq, Zheljko Komshiq dhe Kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Kristo.
Të martën, më 2 qershor, Presidenti Costa do të jetë në Tiranë, ku do të takohet me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin e Republikës Bajram Begaj dhe studentët e Kampusit të Tiranës të Kolegjit të Evropës. Më pas ai do të vizitojë Shkupin, për t’u takuar me Kryeministrin Mickoski.
Më 3 qershor, zyrtari i lartë evropian zbarkon në Kosovë.
“Të mërkurën, më 3 qershor, Presidenti Costa do të shkojë në Prishtinë, për t’u takuar me Presidenten në detyrë Albulena Haxhiu, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe kryetarët e partive opozitare”.
Pas Kosovës, ai e vazhdon vizitën në Serbi ku të enjten, më 4 qershor, do të takohet në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kryeparlamentaren, Ana Bqrnabiq dhe organizatat e shoqërisë civile.
Costa e përfundon turneun në Mal të Zi ku më 5 qershor do të bashkëkryesojë Samitin BE-Ballkani Perëndimor. Tema qendrore e këtij samiti është “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.