Nga tetori pritet që të vendosen skanerë në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kështu deklaroi në “Kosova Today”, kriminologu, Armend Halimi.
Halimi këtë deklaratë e dha pas arrestimit dhe lirimit të dy serbëve, babë e bir, në Koshare tri ditë më parë.
“Ky dhe çdo rast i tillë duhet trajtuar më hollësisht që nga pikënisja. Nuk kemi të bëjmë me arrestim të personave që kanë kaluar ilegalisht kufirin, problemi qëndron dhe fillon që nga pikat kufitare, ku bëhet një lëshim, sepse gjithë këto elemente me uniforma dhe simbolika të tjera nuk ka mundësi të futen në xhepa. Andaj duke pasur parasysh që Kosova me Serbinë ka pika më fraxhile kufitare, ku dhe është kërkuar vendosja e skanerëve, që sipas informacioeneve pritet të jenë në dispozicion nga tetori i këtij viti”, tha Halimi.
Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi tha se një rasti i tillë nuk është i pari në Kosovë.
Ai shton se zonat ku ata janë arrestuar, siç është Kosharja, kanë zona të një rëndësie të veçantë të historisë së Kosovës.
“Kemi pasur raste të tilla, nuk është ky i pari. Veprimet e institucioneve tona duket që janë mjaft koherente, por që në fakt nuk e di nëse është bërë më e mira sa i përket asaj për të kuptuar qëllimet e lokacioneve që zhvillohen. Duhet justifikuar qëndrimi në atë zonë të caktuar. Dy zonat që këta konsiderohen që kanë qenë, konsiderohen zona të ndejshme. Kanë rëndësi të veçantë, pasi në Koshare e dini që është zhvilluar njëri prej aktiviteteve më të rëndësishme në luftën e Kosovës, për shkak të thyerjes së kufirit në atë kohë të Serbisë dhe Shqipërisë, e që në fakt konsideroj që ishte njëra prej sinjaleve kryesore të largimit të aparatit serb nga Kosova”.
“Por ajo që duhet të vendoset në vëmendje, është se personat në këtë rast janë babë e bir, dhe të njëjtit kanë poseduar mjete të cilat mund të konsiderohen propagandiste. Nuk e di pse Policia e Kosovës i ka liruar aq shpejtë”, u shpreh Elezi.
Ndryshe, njëri nga serbët e arrestuar në Koshare, është ushtar aktiv në Serbi.
Po ashtu ishte raportuar se të njëjtit u arrestuan nga disa policë që kanë qenë pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Megjithëse të njëjtit u liruan të premten.
Lajmin për Klankosova.tv e kishte bërë të ditur zëdhënës i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Në Koshare, njësitë policore kanë ndaluar për verifikim dy shtetas të Serbisë. Personat e ndaluar janë shoqëruar në Stacionin Policor në Gjakovë, ku janë kryer procedurat e nevojshme. Pas konsultimit me prokurorin e shtetit dhe verifikimit të plotë, dhe pasi nuk është gjetur ndonjë element i ndonjë shkelje ligjore të njëjti janë liruar”, tha Elezaj.