September 29, 2025
1 min read

KQZ emëron mbi 15 mijë anëtarë të këshillave të vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për emërimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve të rregullta, atyre me kusht dhe anëtarëve rezervë për Zgjedhjet Lokale, të cilët do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve, më 12 tetor 2025.

Udhëheqësi i Këshillit për Operacione Zgjedhore, Arianit Elshani, ka deklaruar se “janë vetëm 3 komuna që përbëhen me nga 6 anëtarë, ndërsa komunat e tjera përbëhen me nga 5 anëtarë”.

Kundër këtij vendimi u shprehën dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje. Anëtari Alban Krasniqi tha se ata mbesin kundër në çdo rast ku është e përfshirë Lista Serbe.

“Ne që nga fillimi kemi qenë kundër. Na bënë të pamundur për me vendos për votimin e një liste të tillë. Bazuar në argumentet që kemi ngrit dhe vazhdojmë që të qëndrojmë”, u shpreh ai.

Sipas vendimit të KQZ-së, emërohen 14,305, anëtarë të 2,571 vendvotimeve të rregullta dhe 54 vendvotimeve me kusht, ndërkaq 1,200 anëtarë të tjerë do të jenë rezervë.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Këshilli i Vendvotim është përgjegjës për sigurimin e integritetit, sigurisë dhe të qetësisë në procesin e votimit dhe numërimit në vendvotim nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve.

Procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës, do të organizohet në 948 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 2,571 vendvotime dhe 38 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 54 vendvotime.

Në pikën e fundit të rendit të ditës, KQZ mori vendim për miratimin e procedurës standarde të veprimit në lidhje me të drejtat dhe detyrat e vëzhguesve të akredituar në Zgjedhjet Lokale 2025.

Qëllimi i kësaj procedure është përcaktimi i rregullave të sjelljes, të drejtave dhe detyrimeve të vëzhguesve të akredituar nga KQZ, në procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Qendrat e Votimit, Vendvotime, Qendra Komunale të Numërimit, Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe në hapësirat tjera që ndërlidhen me aktivitetet zgjedhore. Kjo procedurë do t’iu dërgohet të gjitha organizatave vëzhguese të akredituara nga KQZ.

Latest from Blog

Nesër temperaturat deri në 16 gradë Celsius

Të martën pritet të mbajë mot i vranët dhe me reshje shiu. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale pritet të sillen nga 4 e 8 gradë Celsius, kurse ato maksimalet nga
Go toTop