September 29, 2025
1 min read

Kryetari Basha priti në takim ambasadorin e Hungarisë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka pritur në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Lászlo István Dux. Nga zyra e kryetarit njoftojnë se me të është diskutuar  për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe për marrëdhëniet midis dy vendeve.

“Kryetari Basha dhe ambasadori Dux zhvilluan bisedë përmbajtjesore për bashkëpunimin e mirë mes popujve dhe institucioneve të të dyja shteteve, me theks të veçantë në rritjen e ndërveprimit në nivel të komisioneve të përbashkëta”, thuhet në komunikatën për media.

Më tej thuhet se “Ambasadori Lászlo István Dux i dorëzoi kryetarit Basha urimin e kryetarit të Kuvendit të Hungarisë, duke e ftuar njëkohësisht në Takimin e kryetarëve të kuvendeve të Evropës Juglindore, që do të mbahet në nëntor të këtij viti”.

Kryetari Basha falënderoi ambasadorin hungarez për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të tij në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe njëkohësisht shprehu mirënjohjen për shërbimin në funksion të paqes dhe sigurisë nga trupat hungareze në kuadër të KFOR-it. Kryetari i Kuvendit shprehu keqardhjen për lëndimet që ushtarët hunagarez morën në sulmin e vitit 2023, sulm ky që erdhi nga strukturat kriminale në veri.

Në takim u diskutua gjithashtu për Programin e Bursave “Stipendium Hungaricum”, i cili ka hapur horizonte të reja në rrugëtimin profesional dhe akademik për studentët tanë dhe po ndërton ura miqësie përmes njohjes së kulturave dhe traditave të vendeve tona.

“Qëndrimi ynë i përbashkët është se Kosova dhe Hungaria do të vazhdojnë ta thellojnë partneritetin në shërbim të stabilitetit rajonal dhe të ardhmes sonë evropiane”, theksoi kryetari Dimal Basha. 

Latest from Blog

Go toTop