July 13, 2026
1 min read

Malishevë: E la 12-vjeçarin të drejtonte veturën dhe e incizoi, gjobitet shoferi

Policia ka njoftuar se ka identifikuar dhe gjobitur shoferin i cili i kishte mundësuar një fëmije 12-vjeçar të drejtonte automjetin në Malishevë.

Sipas Policisë Rajonale në Gjakovë, rasti është zbuluar pas pranimit të një video-incizimi nga qytetarët, ku shihej një person madhor në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, duke i dhënë mundësi të miturit të ulej në ulësen e shoferit dhe të drejtonte automjetin, ndërsa vetë e incizonte ngjarjen.

“Pas veprimeve operative dhe hetimore nga ana e Stacionit Policor në Malishevë, personi është identifikuar dhe ndaj tij, bazuar në Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, janë ndërmarrë masa ligjore: gjobë prej 400 eurosh, pesë pikë negative dhe masë mbrojtëse-ndalim i të drejtës së ngasjes për të gjitha mjetet motorike në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh”, thotë Policia në Facebook.

Policia ka apeluar te prindërit dhe drejtuesit e automjeteve që të jenë të përgjegjshëm.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë apelon te të gjithë prindërit dhe drejtuesit e mjeteve që të tregohen të përgjegjshëm. Mundësimi i ngasjes së automjeteve nga personat e mitur dhe të paautorizuar nuk është vetëm kundërvajtje ligjore, por paraqet rrezik për jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik”, thotë PK.

Latest from Blog

Go toTop