Ish-mbrojtësi i Kombëtares së Francës, Raphael Varane, ka dërguar një mesazh mbështetjeje për “Les Bleus”, të cilët kanë siguruar një vend në gjysmëfinale të Kupës së Botës.
Varane ka vlerësuar paraqitjet e skuadrës franceze gjatë turneut, duke theksuar talentin, qetësinë dhe karakterin e treguar në momentet vendimtare, shkruan Indeksonline
“Kjo Kupë e Botës po shkon drejt fundit dhe është një kënaqësi e madhe të përjetosh ende emocione të tilla. Kjo është edhe arsyeja pse e duam kaq shumë futbollin: na bashkon, na emocionon dhe na dhuron momente unike”, ka shkruar Varane.
Ai theksoi se arritja e Francës në gjysmëfinale është një tjetër dëshmi e nivelit të lartë të futbollit francez.
“Ky grup ka treguar shumë talent, kontroll dhe karakter gjatë gjithë garës. Të dish të reagosh në momentet kyçe dhe të qëndrosh i fortë përballë vështirësive, kjo është ajo që i bën ekipet e mëdha”, shtoi ai.
Varane foli edhe për rolin e kapitenit Kylian Mbappe, duke e vlerësuar mënyrën se si sulmuesi francez po udhëheq skuadrën.
“Është një grup që po rritet së bashku, me liderë që marrin përgjegjësi. Të shohësh Kylianin duke e përmbushur plotësisht rolin e kapitenit është një shembull i bukur i kësaj”, u shpreh ish-futbollisti i Real Madridit.
Në fund, Varane u bëri thirrje tifozëve francezë që të shijojnë këto momente të veçanta.
“Faleminderit për të gjitha këto emocione. Shihemi sonte… dhe shpresoj, të dielën”, përfundoi ai.
Raphael Varane ishte pjesë e Kombëtares së Francës që fitoi Kupën e Botës në vitin 2018 dhe mbetet një nga figurat më të rëndësishme të gjeneratës së fundit të “Les Bleus”.