Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet E.K.
Sipas aktakuzës ndër të tjera ceket se i pandehuri me inicialet E.K., më datë 12 shtator 2025 rreth orës 20:15 në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, me qëllim të shitjes ose shpërndarjes pa autorizim posedon, substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge, në atë mënyrë që derisa i pandehuri ishte duke lëvizur përgjatë rrugës së lartcekur me motoçikletën e tipit Honda, pas ndaljes së tij nga Policia e Kosovës, në çantën e tij janë gjetur nëntë qese plastike me substancë narkotike me peshë prej 12.82 gramë si dhe shuma e parave prej 945 euro dhe 2000 lekë.
Më pas është realizuar kontrolli dhe bastisja në shtëpinë e të pandehurit, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar para në shumë prej 9990 €uro dhe 10 franga zvicerane, disa qese najloni të mbushur me substancë në formë bari dhe pluhuri, katër peshore digjitale, disa qese të zbrazëta najloni, gërshërë, thikë dhe një lugë e vogël, të cilat kanë shërbyer për përgatitjen dhe më pas shitjen apo shpërndarjen e substancës narkotike.
Sipas raportit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (AKF) është konstatuar se substancat e sekuestruar narkotike përmbanin 187.41 gram marihuanë si dhe 4.56 gramë kokainë.
Me këto veprime, sipas aktakuzës, i pandehuri akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë.