July 16, 2026
1 min read

Rritet kërkesa për kujdes paliativ, mbi 1,400 pacientë u trajtuan në shtëpi

Shërbimi i Mjekimit Shtëpiak në Prishtinë ka trajtuar 1 mijë e 481 pacientë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke realizuar mbi 8 mijë e 600 vizita dhe mijëra shërbime mjekësore në shtëpi.

Shefja e këtij shërbimi, Dr. Sahadete Kelmendi, ka bërë të ditur se kujdesi u është ofruar kryesisht pacientëve që nuk kanë mundësi të lëvizin dhe të marrin shërbime në institucionet shëndetësore.

Sipas saj, më së shumti trajtohen pacientët me sëmundje të rënda kronike, probleme respiratore, diabet, sëmundje kardiovaskulare, paraliza, si dhe pacientët me sëmundje malinje.

Kelmendi ka theksuar se vitet e fundit është rritur edhe numri i pacientëve që kanë nevojë për kujdes paliativ dhe menaxhim të dhimbjeve në shtëpi.

Ajo ka sqaruar se Mjekimi Shtëpiak nuk është shërbim urgjent, por është i dedikuar për pacientët që kanë vështirësi në lëvizje dhe kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm.

Ekipet në terren realizojnë deri në 70 vizita në ditë, duke ofruar shërbime si matja e tensionit, oksigjenit në gjak, temperaturës, glikemisë, këshillime për terapi dhe trajtime të plagëve.

Sipas Kelmendit, për rritjen e cilësisë së shërbimeve nevojiten më shumë profesionistë, trajnime për kujdesin paliativ dhe zgjerim i stafit mjekësor.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop