Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka shprehur shqetësim për rritjen e rasteve të fruthit te fëmijët në Kosovë.
Për Demantim News, KOMF bëri të ditur se sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, deri më 27 korrik 2026 janë konfirmuar 78 raste me fruth.
Aktualisht, 17 fëmijë po trajtohen në Klinikën Infektive të QKUK-së, ndërsa dy prej tyre janë në mbështetje me oksigjen për shkak të vështirësive në frymëmarrje. Shumica e të prekurve janë fëmijë të moshës 1 deri në 2 vjeç.
KOMF thekson se fruthi është përhapur edhe në dy institucione parashkollore dhe u bën thirrje këtyre institucioneve të zbatojnë me rigorozitet masat e IKShPK-së. Po ashtu, organizata u kërkon prindërve dhe kujdestarëve që t’i vaksinojnë fëmijët sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit.
/Demantim News/