August 6, 2026
1 min read

Infantino kërkon falje, por mbetet në krye të FIFA-s

Infantino mblodhi anëtarët e bordit drejtues në zyrën afrikane të FIFA-s, pas kritikave të forta që pasuan propozimin për krijimin e kompanisë FIFA Forward Enterprise (FFE). Përmes këtij projekti synohej të tërhiqeshin investime private në turnetë më të rëndësishëm të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës për meshkuj dhe femra.

Në një letër të nënshkruar nga Infantino dhe sekretari i përgjithshëm, Mattias Grafström, drejtuar zëvendëspresidentëve, Këshillit të FIFA-s dhe 211 federatave anëtare, të dy kërkuan sinqerisht falje për mënyrën se si u menaxhua procesi dhe premtuan se gabime të tilla nuk do të përsëriten.

Pas mbledhjes, bordi drejtues i FIFA-s rikonfirmoi mbështetjen e plotë për Infantinon, pavarësisht kritikave të shumta që ai ka marrë javët e fundit.

UEFA ishte ndër kundërshtarët më të ashpër të projektit, duke deklaruar se ka humbur besimin te Infantino dhe duke e cilësuar propozimin si një marrëveshje të errët dhe të papranueshme. Kritika pati edhe nga brenda FIFA-s, ku sekretari i përgjithshëm, Mattias Grafström, e përshkroi situatën si “një seri ngjarjesh të trishtueshme dhe të dënueshme”.

Sipas planit të propozuar, FIFA kishte ofruar nga 40 milionë dollarë për secilën federatë anëtare në këmbim të mbështetjes për krijimin e FFE-së.

Në deklaratën zyrtare, FIFA pranoi se gjatë procesit u bënë gabime dhe se federatat anëtare nuk duhej të ndiheshin të përjashtuara nga vendimmarrja. Organizata pranoi gjithashtu se pati gabime edhe pas publikimit të dokumenteve në media.

Megjithatë, FIFA theksoi se në të ardhmen nuk do të tolerojë sulme ndaj integritetit, qeverisjes së mirë dhe procedurave të saj, duke paralajmëruar se do të ndërmarrë masa për të mbrojtur reputacionin e organizatës.

Latest from Blog

Go toTop