Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka vizituar gërmimet që po zhvillohen në Kalludër të Zubin Potokut, në kuadër të kërkimeve për mbetjet mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Për Demantim News, Peci ka folur për dhimbjen e familjeve që prej gati tri dekadash presin të mësojnë për fatin e më të dashurve të tyre.
“Kosova ende i ka varret e hapura e plagën që kullon, e Serbia gjenocidale as kërkim falje nuk kërkon”, ka shkruar Peci.
Ai ka theksuar se Mitrovica ka paguar një çmim të rëndë gjatë luftës, ndërsa kërkimi për personat e zhdukur dhe zbardhja e fatit të tyre duhet të vazhdojnë.
“Të vërtetën nuk e fsheh asgjë, gjaku nuk humbet, e as dheu nuk lejon mbulimin e krimit”, ka deklaruar Peci.
Ai tha se familjarët e të pagjeturve kanë kaluar afro tri dekada në pritje, me shpresën që një ditë të mund t’i gjejnë dhe t’i varrosin të dashurit e tyre.
/Demantim News/