Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Beograd, ku ai rikonfirmoi qëndrimin e Ukrainës për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Për Demantim News, Konjufca tha se Kosova e ka pritur me keqardhje këtë deklaratë, duke rikujtuar mbështetjen që vendi i ka dhënë Ukrainës që nga fillimi i agresionit rus.
“Që nga dita e parë e agresionit të plotë të Rusisë, Kosova ka qëndruar pa mëdyshje në krah të Ukrainës”, shkroi Konjufca.
Ai theksoi se Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, është rreshtuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian dhe ka ofruar ndihmë humanitare, strehim për gazetarët ukrainas, si dhe mbështetje e trajnime ushtarake për Ukrainën.
Konjufca bëri edhe një krahasim me Serbinë, duke theksuar se Beogradi nuk është rreshtuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.
Ai kundërshtoi gjithashtu çdo krahasim mes rastit të Kosovës dhe agresionit rus ndaj Ukrainës, duke rikujtuar procesin ndërkombëtar që i parapriu shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010.
Në fund, Konjufca tha se Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen e Ukrainës, por do ta mirëpriste njohjen e pavarësisë së saj nga Kievi.
/Demantim News/