August 10, 2026
1 min read

Rriten rastet e fruthit në Kosovë, IKShPK: 112 të regjistruara deri sot

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar për 13 raste të reja me fruth gjatë javës së fundit, duke e çuar në 112 numrin e përgjithshëm të rasteve të regjistruara në vend.

Sipas IKShPK-së, vetëm brenda një muaji janë regjistruar 50 raste të reja, pasi më 10 korrik numri i të prekurve ishte 62.

Prishtina prin me 37 raste, e pasuar nga Fushë-Kosova me 29, Ferizaj me 12, Kaçaniku me 7 dhe Obiliqi me 6 raste. Raste të fruthit janë regjistruar edhe në disa komuna të tjera.

Për shkak të rritjes së rasteve, ekipet shëndetësore kanë intensifikuar vaksinimin në komunat më të prekura, duke vaksinuar me vaksinën MMR 147 fëmijë që kishin mbetur prapa me vaksinimin sipas kalendarit të rregullt.

IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që në rast të temperaturës së lartë, skuqjes së lëkurës, kollës, rrufës apo konjunktivitit të paraqiten në institucionet shëndetësore.

Instituti thekson se vaksinimi mbetet masa më efektive për parandalimin e fruthit dhe kufizimin e përhapjes së tij në komunitet.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop