Ish-profesori i ekonomisë dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa, ka reaguar lidhur me situatën politike dhe institucionale në vend, duke kërkuar veprime urgjente për rikthimin e procesit brenda rendit kushtetues.
Mustafa tha se deputetët, pas betimit të tyre, kanë përgjegjësi që të ndërmarrin hapa konkretë për përfundimin e konstituimit të Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve.
Sipas tij, në situatën aktuale nevojitet edhe adresimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese, me prioritet dhe urgjencë.
“Situata nuk duhet të rrëshqasë më tutje në zonën e kontestuar, përkatësisht jokushtetuese”, ka deklaruar Mustafa.
Ai paralajmëroi se vazhdimi i kësaj gjendjeje mund të ketë pasoja përtej politikës, duke prekur edhe ekonominë dhe stabilitetin social.
“Tolerimi i kësaj situate e shpie vendin në rreziqe të paparashikueshme dhe në përshkallëzim të jostabilitetit politik, ekonomik e social”, ka theksuar ai.
/Demantim News/