August 11, 2026
1 min read

Hoxha i përgjigjet Gjuriqit për Ibrin: “Uji është jetë, nuk mban pasaportë”

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, i është përgjigjur homologut serb Marko Gjuriq lidhur me debatin për lumin Ibër, duke kërkuar që diskutimi të largohet nga retorika nacionaliste dhe të fokusohet te bashkëpunimi rajonal.

Hoxha ka vlerësuar tonin më të qetë të deklaratës së Gjuriqit, por ka theksuar se e ardhmja e Ballkanit nuk mund të ndërtohet përmes kërcënimeve dhe akuzave.

Duke folur për çështjen e ujërave ndërkufitare, ai ka theksuar se lumenjtë nuk ndalen te kufijtë politikë.

“Uji është jetë. Ai nuk mban pasaportë, nuk lexon hartat politike dhe nuk ndalet të pyesë se në cilën anë të kufirit po rrjedh”, ka shkruar Hoxha.

Sipas tij, burimet ujore nuk duhet të shndërrohen në mjete presioni, pasi çështje të tilla prekin jo vetëm marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe bashkëjetesën dhe stabilitetin e gjithë rajonit.

“Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime, ndërsa kufijtë duhet të përcaktojnë juridiksionet, jo të ndajnë përgjegjësinë tonë për paqen”, është shprehur ai.

Hoxha e ka mbyllur reagimin me një thirrje për “më shumë Evropë, më pak mitologji”, duke ritheksuar mbështetjen e Shqipërisë për një Bashkim Evropian ku të përfshihen Kosova, Serbia dhe vendet e tjera të rajonit.

Latest from Blog

Go toTop