Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar se nga viti i ardhshëm në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” do të krijohen kënde të posaçme ku pasagjerët do të kenë qasje falas në ujë të pijshëm.
Vendimi është marrë pas një takimi të Pacollit dhe zëvendësministrit Driton Hyseni me drejtuesit e aeroportit, ku është diskutuar për çështjet mjedisore dhe përmirësimin e standardeve në dhe përreth aeroportit.
Sipas Pacollit, këndet do t’u mundësojnë udhëtarëve edhe rimbushjen e shisheve dhe enëve të tyre me ujë, duke synuar njëkohësisht reduktimin e përdorimit të plastikës.
“Kjo nismë jo vetëm që rrit standardin e shërbimit, por lehtëson rimbushjen e enëve vetjake, duke ndihmuar drejtpërdrejt në zvogëlimin e mbetjeve plastike”, ka deklaruar Pacolli.
Ajo theksoi se iniciativa është në përputhje me standardet dhe direktivat e Bashkimit Evropian për qasjen në ujë të pijshëm, ndërsa synimi është që aeroporti të bëhet më miqësor ndaj mjedisit.
/Demantim News/