Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, duke shprehur shqetësim për krizën politike dhe bllokadën institucionale në vend.
Gjini tha se Aleanca, që nga përfundimi i zgjedhjeve, ka mbajtur qëndrim konstruktiv dhe ka ofruar një propozim që, sipas tij, do të mundësonte tejkalimin e ngërçit politik.
“Si Aleancë, ne kemi hartuar një ofertë të qartë të dedikuar për qytetarët, e cila po injorohet totalisht nga partia e parë e dalë nga zgjedhjet”, deklaroi Gjini.
Ai akuzoi partinë fituese të zgjedhjeve për cenim të rendit kushtetues, duke paralajmëruar se vendi rrezikon të futet në një bllokadë të plotë institucionale.
Sipas Gjinit, kriza politike po shkakton pasoja edhe në ekonomi, shëndetësi, arsim dhe në imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
Kreu i Aleancës tha se partia e tij do të vazhdojë angazhimin për tejkalimin e situatës dhe rikthimin e funksionimit normal të institucioneve.
“Kosova është më e madhe se çdo krizë politike e shkaktuar artificialisht”, përfundoi Gjini.
/Demantim News/