Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i ka reaguar kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, pas deklaratës së tij lidhur me afatet për thirrjen e seancës.
Dehari ka deklaruar se nuk ka sanksione për mosrespektimin e afateve dhe se vazhdimi i seancës do të thirret kur të arrihet një marrëveshje politike.
Cakolli e ka kundërshtuar këtë argument, duke theksuar se Kushtetuta e Kosovës përmban së paku 40 afate dhe kufizime kohore operative, ndërsa vetëm për tetë prej tyre përcaktohet shprehimisht pasoja konkrete juridike në rast të mosrespektimit.
“Sipas logjikës që po e dëgjojmë së fundi, a i bie që 80% e afateve kushtetuese nuk qenkan detyruese, e rrjedhimisht mosrespektimi apo tejkalimi i tyre nuk paraqet asnjë problem?”, ka shkruar Cakolli.
Reagimi vjen në kohën kur ende nuk është bërë e ditur se kur do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
/Demantim News/