Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka reaguar pas publikimit të një fotografie në rrjetet sociale, ku pretendohet se ajo është takuar me Skënder Llugiqin, personin e arrestuar nën dyshimin se ka kërcënuar Ramush Haradinajn.
Kadrijaj ka mohuar se fotografia është reale, duke pretenduar se bëhet fjalë për një imazh të gjeneruar përmes inteligjencës artificiale.
Ajo ka paralajmëruar gjithashtu se për këtë rast do t’u drejtohet organeve të drejtësisë.
“Të nderuar qytetarë, se ku ka arritur poshtërsia e këtij pushteti po e dëshmoj tani. Me inteligjencë artificiale e postuar nga Vudi Xhymshiti në rrjete sociale, se gjoja unë kam takuar Skender Llugiqin, personin që ka kërcënuar Komandantin Ramush Haradinaj. Kjo nuk qëndron dhe është e pavërtetë. Personin në fjalë do ta denoncoj dhe le të merren organet e drejtësisë me të. Jeni në rënie të lirë, kësaj radhe ju ka dalë fytyra e vërtet”, shkroi ajo.