Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave, të dyshuar për përfshirje në zjarrin që përfshiu diskotekën “Gate Club”, në zonën industriale Prishtinë–Fushë Kosovë, më 14 shkurt 2025.
Sipas aktakuzës, SH.T. dhe F.S. dyshohet se, në bashkëpunim dhe kundrejt një pagese prej 3 mijë eurosh, i kanë vënë zjarrin objektit të diskotekës, pasi dyshohet se janë nxitur nga RR.A.
Zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, të cilat, sipas Prokurorisë, arrijnë në 969 mijë e 435 euro.
Ndërkohë, B.H., I.M. dhe RR.A. akuzohen për veprën penale “Shtytje nga zjarrvënia”. Sipas aktakuzës, nga shtatori deri më 16 nëntor 2025, në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ata dyshohet se, së bashku me persona të tjerë, kanë nxitur një person ende të paidentifikuar për të kryer vepër penale kundër pasurisë së S.S.
Prokuroria dyshon se motivi ka qenë hakmarrja, pasi të pandehurit besonin se F.S. dhe SH.T. ishin arrestuar si pasojë e veprimeve të S.S.
Personi i nxitur, sipas aktakuzës, më pas dyshohet se i ka vënë zjarrin automjetit “Range Rover” në pronësi të S.S., duke shkaktuar dëm material prej 54 mijë e 892.72 eurosh.
Përveç këtyre akuzave, F.S. përballet edhe me akuzën për “Pengimin e të provuarit apo procedurës zyrtare”.
Prokurori i rastit ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale me të cilat ngarkohen dhe të dënohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Të akuzuarit gëzojnë prezumimin e pafajësisë dhe konsiderohen të pafajshëm deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë nga gjykata.