Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Anton Quni, ka deklaruar para mbledhjes së Grupit Parlamentar të kësaj partie se LDK-ja do të shmangë situatat që mund të çojnë në incidente apo tensione të reja.
Quni ka thënë se gjatë mbledhjes pritet të diskutohet për zhvillimet aktuale, ndërsa deputetët do të shkëmbejnë mendime, vlerësime dhe propozime për hapat e ardhshëm.
“Në lidhje me pjesëmarrjen në Kuvend, do të thotë, Lidhja Demokratike e Kosovës përmbahet nga situatat ku mund të gjenerohen incidentet, problemet e tjera. Ne bëjmë thirrje të jemi sa më të qetë edhe me arsyeshmëri, me racionalitet, duke dëgjuar njëri-tjetrin, t’i zgjidhim të gjitha problemet”, ka deklaruar Quni.
Sa i përket një takimi të mundshëm të fundit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Quni është thirrur në deklarimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai ka thënë se biseda e fundit mes Abdixhikut dhe Kurtit nuk ka prodhuar rezultat pozitiv dhe se aktualisht nuk ka sinjale për arritjen e ndonjë marrëveshjeje.
“Është deklaruar kryetari në lidhje me bisedën e fundit që e ka pasur me zotin Kurti, e cila nuk ka pasur ndonjë epilog pozitiv, nuk vrehen shenjat e materializimit të ndonjë marrëveshje, kështu që ne do t’i shqyrtojmë hapat e mëtejmë”, tha Quni.
Për seancën konstituive dhe bashkëpunimin me partitë e tjera opozitare, Quni ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të formohen sa më shpejt.
“Po, po, natyrisht që do të duhej një seancë konstituive të mbahet sa më shpejt. Me tërë spektrin politik ne jemi të interesuar që të bashkëpunojmë që sa më shpejt të zyrtarizohen, të ngriten institucionet e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.