August 13, 2026
2 mins read

“Solar 4Kosovo II” nuk ndalet: Termokos mohon tërheqjen e donatorëve dhe premton zbatimin e projektit

Ndërmarrja Publike “Termokos” ka reaguar ndaj pretendimeve se donatorët ndërkombëtarë mund të tërhiqen nga projekti “Solar 4Kosovo II”, duke theksuar se një gjë e tillë nuk është diskutuar në takimet e rregullta me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas “Termokos”, janë marrë të gjitha masat e nevojshme për adresimin e çështjeve të ngritura dhe për vazhdimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, i cili ka nisur më shumë se një dekadë më parë.

Ndërmarrja e konsideron “Solar 4Kosovo II” një projekt strategjik me rëndësi të madhe për modernizimin e sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë. Për këtë arsye, sipas saj, çdo fazë e projektit është trajtuar me prioritet dhe janë mobilizuar kapacitetet e nevojshme për realizimin e tij.

“Termokos” ka siguruar publikun se nuk do të lejojë që vështirësitë e hasura të pengojnë zbatimin e projektit apo të dëmtojnë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

“Të gjitha çështjet e ngritura nga partnerët financiarë dhe konsulentët e projektit janë trajtuar me seriozitet dhe janë ndërmarrë veprime konkrete për adresimin e tyre. Janë bërë rialokime në kuadër të Buxhetit të ndërmarrjes për trajtimin e impiantit të degazifikimit, Bordi i Drejtorëve ka trajtuar me prioritet të veçantë ndryshimet e nevojshme në kontratën për shërbimet e konsulencës dhe ka kërkuar, që kjo çështje të adresohet pa vonesa.”

Në reagim theksohet se çështjet e ngritura nuk rrezikojnë funksionimin e sistemit të ngrohjes qendrore. Ato, sipas “Termokosit”, lidhen kryesisht me përmirësimin e performancës, zgjatjen e jetëgjatësisë së rrjetit të ngrohjes dhe rritjen e cilësisë së të dhënave në sistemin SCADA.

Prioriteti i ndërmarrjes, thuhet më tej, është vazhdimi i projektit, përmbushja e obligimeve institucionale dhe forcimi i bashkëpunimit me KfW-në dhe partnerët e tjerë financiarë.

“Termokos” vlerëson se shqetësimet e ngritura duhet të trajtohen në mënyrë institucionale, por nuk përbëjnë dëshmi se projekti ka dështuar. Përkundrazi, sipas ndërmarrjes, janë marrë vendime konkrete për adresimin e tyre dhe projekti tashmë ndodhet në fazën finale para nisjes së implementimit në terren.

Faza parakualifikuese për përzgjedhjen e kompanive dhe konsorciumeve ndërkombëtare është pothuajse përfunduar, ndërsa gjatë vitit 2026 pritet të vazhdojë procedura për përzgjedhjen e kompanisë që do të kryejë punimet.

“Termokos” ka theksuar se të gjithë hapat po zhvillohen në koordinim me konsulentin implementues dhe KfW-në, duke marrë paraprakisht pajtueshmërinë e këtij institucioni për aktivitetet e parapara.

Ndërmarrja ka bërë thirrje që projekti të mbështetet nga të gjithë akterët në Kosovë dhe ka paralajmëruar se politizimi i tij mund të sjellë vonesa dhe të dëmtojë raportet me partnerët ndërkombëtarë.

“Përkundrazi, ky projekt nga të gjithë akterët në Republikën e Kosovës do të duhej të cilësohej si krenari e Shtetit të Kosovës, arritje e jashtëzakonshme e sektorit energjetik dhe ngrohjes qendrore”, thuhet në reagim.

Pavarësisht sfidave, “Termokos” ka deklaruar se do të vazhdojë punën për realizimin e “Solar 4Kosovo II”, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Latest from Blog

Go toTop